Nga: Kastriot Dervishi
Pas grisjes së marrëveshjes së Mukjes, si dhe pas mbarimit të konferencës së Labinotit në shtator 1943, komunistët nisën zyrtarisht luftën civile. Nën drejtimin e jugosllavëve Miladin Popoviq dhe Dushan Mugosha, ata i shkaktuan vendit një prej tragjedive më të llahtarshme të vërejtura më parë, me pasoja të rënda edhe për unitetin kombëtar.
Fill pas Labinotit, vrasjet u bënë dukuri e zakonshme. Sekretari organizativ i PKSh-së, Koçi Xoxe, i shkruante më 3 tetor 1943, sekretarit të përgjithshëm të partisë, Enver Hoxhës, ndër të tjera: “Përveç goditjeve që u dhamë (ballistëve – shënim), po i ndjekim këmba-këmbës për shfarosje. Sa për luftën me gjermanët, pothuajse hiç”.
Lufta ndaj jokomunistëve u bë qëllimi i vërtetë i asaj që duhej të ishte luftë kundër pushtuesit. Më 21 tetor 1943, brigada e parë komuniste, nën drejtimin e Dushan Mugoshës, në Golem të Lushnjës sulmoi fuqitë balliste të Isa Manastirliut, Hamit Matjanit, Tefik Sfirit dhe Hajdar Cakranit. Thuhet se fuqia balliste kishte 400 persona dhe prej tyre u vranë 10-15 veta. Shumë fshatarë u zunë robër. Me urdhrin e Dushan Mugoshës dhe Mehmet Shehut, u pushkatuan rreth 80 robër (Mehmet Shehu thotë 60). Këta ballistë ishin nga fshatrat: Remas, Kryekuq, Grabian, Shënkollas, Kalush, Gur, Shënpremte, Sulzotaj, Biçak (prej këtij fshati ishin më pak se 50 të pushkatuar).
Nisur nga kjo ngjarje, me anë të një trakti të datës 26 tetor 1943, Balli Kombëtar njoftonte se “vëllavrasja kishte filluar”. Në lidhje me masakrën e Lushnjës, komandanti i brigadës së parë, Mehmet Shehu, informon me një letër të posaçme, kjo e mëposhtmja.
Letra e Mehmet Shehut:
Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare
Kur ishim në Dumre, unë u nisa me dy batalione të brigadës dhe me tri mortaja për të përballuar bashibozukët e Isa Manastirlliut, Hamit Matjanit, Tefik Cfirit e Hajdar Cakranit. Kur shkova pranë Lushnjës ballistët ishin në Myzeqe, kështu bëmë përgatitjet për t’i rënë Lushnjës. Porse, para se t’i binim Lushnjës me forcat e Brigadës dhe të Lushnjës, Isa Manastirlliu na doli befas nga krahu i djathtë për të marrë krahët neve, ndërsa Hamit Matjani mendonte të na merrte krahun e majtë nga Kosova. Neve u detyruam t’u përgjigjemi menjëherë. U ramë befas dhe i shpartalluam të 400 bashibozukët ballistë: 172 robër, 10-15 të vrarë. Robërit i gjykuam. Gjyqi përbëhej prej meje, nënkomisarit të komandës vendit Lushnjës dhe një partizani të batalionit të parë të brigadës. Neve (gjyqi) vendosëm ekzekutimin e 65 ballistëve. Të tjerët, 29 vullnetarë për Brigadë dhe batalione të vendit, u liruan të çarmatosur.
Me të vërtetë që Ballit iu dha një grusht i fortë me ekzekutimin e 65 ushtarëve të tij (çerdhe të Hamit Matjanit dhe luftëtarë kundër nesh, me armë, kusarë, kriminelë e grabitës të popullit), porse mua më duket se kam qenë gabuar, kemi ekzekutuar, kemi qenë shumë të rreptë. Do të mjaftonte pushkatimi i 15-20 ballistëve nga më përgjegjësit. Porse, këtë radhë, gabimi, faji kryesor është imi personalisht, mbasi gjyqi kryesohej prej meje dhe, deri diku, të dy anëtarët e tjerë kanë qenë influencuar prej meje. Unë, i dehur relativisht nga urrejtja kundër ballistëve tradhtarë, i revoltuar nga krimet dhe tradhtitë e tyre, i rrëmbyer nga temperamenti mikroborgjez i çasteve, qesh i mendimit për këtë masë të pamasë! Kjo ka rrjedhur edhe nga shkaku se unë isha vetëm dhe shokët e tjerë të shtabit brigadës ishin larg; s’munda të këshillohesha me ta sepse s’premtonte koha. Sikur shtabi i brigadës të qe i gjithë pranë gjyqit, sigurisht që nuk do mbërrinin në ato përfundime. Gjurmët e këtij terrori duhen zhdukur dhe shpresojmë se do ta zhdukim në të ardhmen. Kjo do të vlejë shumë edhe për mua personalisht, që të mos nxitem herë tjetër, të jem më i matur e të mos lë të tërhiqem nga sentimentet dhe buçitjet e çasteve që në mua shfaqen akoma si konsekuencë e një origjine mikroborgjeze, patriakale, prapanike, mesjetare.
Të fala shoqërore,
Komandanti i Brigadës I
V.F.L.P.
30.X.1943
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Historia e gjakmarrjes së madhe në Tokën e Shenjtë, shqiptari që tentoi të ndalte Rothschildët dhe sulltani që lejoi krijimin e Izraelit

Gjermania, vendi i artit dhe kulturës

Thënie nga Gjergj Fishta: Më dhemb kryet nga njato parla-parla të parlamentarëve - dokrra pa kokrra!

Shqiptarët, populli i vogël që ka shkruar me 11 alfabete
Gjësendet e Profetit Muhamed, në Topkapi të Stambollit

POTOCACA, ARBEN

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
Më të lexuarat

Rizarta akuzon produksionin në transmetim direkt se kanë publikuar bisedën e saj pa autorizim: Mendoja se po flisja me psikologen, nuk e dija që do jepej ky klip

Zëvendëspresidenti amerikan i përgjigjet kritikave të ashpra të kushëririt që luftoi në krah të ukrainasve

Në Pejë do të ndërtohet fabrika e parë për prodhimin e municioneve, me mbështetje amerikane

Tifozët nuk mund ta besojnë atë që ndodhi menjëherë pas super golit që shënoi Lamine Yamal për Barcelonën

Si e sheh botën zëvendëspresidenti amerikan - dhe pse kjo ka rëndësi

I dyshuari për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, në mesin e personave nga ish-njësiti famëkeq, në mbrojtje të Vuçiqit nga studentët