LAJMI I FUNDIT:

Masakra e Krushës së Madhe dhe Krushës së Vogël, Konjufca: Martirët janë sakrifica dhe dhimbja që e bëri të mundur lirinë

Masakra e Krushës së Madhe dhe Krushës së Vogël, Konjufca: Martirët janë sakrifica dhe dhimbja që e bëri të mundur lirinë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës ka përkujtuar masakrën e Krushës së Madhe dhe Krushës së Vogël, ku ka thënë se liria mbetet e shtrenjtë si sakrifica e tyre sublime.

Konjufca është shprehur se këta martirë përkujtohen me dhimbje të ngulitur thellë në zemër, ata që dhanë jetën e tyre në rrugën e gjatë dhe të stërmundimtë të popullit tonë për liri. Ata janë sakrifica dhe dhimbja që e bëri të mundur atë.

Ai ka thënë se nuk do të ndalen deri kur Serbia dhe të gjithë përgjegjësit të vendosen përballë drejtësisë së plotë e të japin llogari për krimet e tyre, dhe se drejtësia për këta të masakruar dhe të gjithë të tjerët në mbarë Kosovën është një detyrë e cila obligon të gjithë, e për të cilën nuk duhet reshtur së përpjekuri me të gjitha mjetet.


“Janë bërë 26 vjet që prej se forcat okupatore serbe dhe formacionet paramilitare, mes datave 25-27 mars masakruan 243 shqiptarë në Krushë të Madhe, duke lënë pas shtëpi të djegura, territor të spastruar etnikisht, me trupat e zhdukur që shumëfishojnë dhimbjen. Po ashtu, në të njëjtën kohë forcat paramilitare serbe masakruan 113 shqiptarë të Krushës së Vogël, si një akt mizor që konfirmoi në mënyrë të përsëritur se shteti serb po zbatonte planin shtetëror të gjenocidit në Kosovë”, ka shkruar Konjufca.

Tutje, ai ka shkruar se Serbia na ka lënë dhimbjen e krimeve që bëri mbi njerëzit tanë, pa dallime moshe e gjinie, por me dallim etnie: të gjithë të masakruar ngase ishin shqiptarë dhe të gjithë të paarmatosur.

“Ajo na ka lënë edhe dhimbjen e rëndë të mungesës së dyfishtë, me të vrarë e të zhdukur dhunshëm, trupat e të cilëve Serbia akoma refuzon t’ua zbulojë vendndodhjen. Ky mohim është po aq çnjerëzor sa krimet kundër njerëzimit që i kreu në Kosovë dhe tregon se akoma nuk ka ndryshuar diçka në qasjen e saj që prej fushatave gjenocidale të Millosheviqit”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka thënë se mirënjohja dhe përkulja me respekt i drejtohen atyre që ranë për t’u bërë dritë e pashuar, për të bërë rrugën të qartë e të ndriçuar.

“Teksa Republika e Kosovës vazhdon të ecë e sigurt drejt zhvillimit e përparimit të vazhdueshëm, mirënjohjen dhe përkuljen me respekt i drejtojmë atyre që ranë për t’u bërë dritë e pashuar, për të na e bërë rrugën tonë të qartë e të ndriçuar. Lavdi martirëve të Krushës së Madhe dhe Krushës së Vogël, që mbeten të gjallë në zemrat tona e të paharrueshëm në përjetësi!”, ka shkruar Konjufca. /Telegrafi/