Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, tha se Gjykata Kushtetuese ka një arsye pse ka vendosur masë të përkohshme për mbajtjen e seancës konstituive, mirëpo që nuk mund ta paragjykojë arsyen, ani pse të njëjtën nuk e kishin kërkuar në rastin e dërguar në këtë institucion.

Ai tha se duhet pritur aktgjykimi i plotë i Kushtetueses.


Gjykata Kushtetuese, si pasojë e krizës politike në Kuvend, të enjten ka marrë vendim për masë të përkohshme nga data 27 korrik deri më 8 gusht për thirrjen e seancës konstituive, si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit në afatin 30-ditor të paraparë në aktgjykimin e parë të tyre dhe i cili skadon të shtunën më 26 korrik.

“Ka një arsye që nuk mund ta paragjykoj unë. Cila do të jetë arsyeja është diçka që do ta kuptojmë kur do të publikohet aktgjykimi final... Çka do të thotë gjykata në aktgjykimin e ardhshëm në rastin që kemi dërguar ne, mbetet të shihet. Dëshira jonë ka qenë që të kemi një aktgjykim të publikuar para se të skadojë afati, në mënyrë që të ketë qartësi se cilat janë pasojat apo veprimet. Është në të drejtën e tyre dhe po presim. Shpresoj që të publikohet para datës 8 gusht”, tha Krasniqi, pas dështimit të 52-të të konstituimit të Kuvendit, raporton KP.

I pyetur për mundësinë e zgjedhjeve të reja, Krasniqi tha se janë një zgjidhje, mirëpo që po imponohen nga LVV-ja.

“Ne jemi në një situatë të absurdit që s’është paramenduar nga askush, pasi kanë kaluar muaj e muaj nga zgjedhjet, madje edhe nga fillimi i seancës konstituive. Bllokada politike që po na imponon LVV-ja po vazhdon dhe ka paqartësi për hapat e mëtejshëm... Ndonjëherë nuk është e jashtëzakonshme t’i kthehemi kutive të votimit, përkundër që do të ishte e mundimshme, pasi kemi edhe zgjedhjet lokale më 12 tetor, pastaj raundin e dytë të balotazhit.

Mirëpo, në fund të fundit, demokracia funksionon kështu. Një shtet anëtar i BE-së, Bullgaria, në tre-katër vitet e fundit ka mbajtur mbi pesë-gjashtë palë zgjedhje. Kjo nuk është shembull i mirë, mirëpo nëse një gjë e tillë imponohet për shkak të kryeneçësisë së partisë së parë, atëherë duhet të shkohet në zgjedhje”, shton ai.

Kryetari i PDK-së foli edhe për një intervistë të ish-presidentit, Hashim Thaçi, i cili po gjykohet nga Specialja në Hagë.

Ai tha se mesazhet e tij ishin një vështrim holistik për rrugëtimin e Kosovës dhe kastën aktuale politike që, sipas tij, po e rrezikon vendin.