Një i moçëm mjekërbardhë tha : biro ,tri herë e fituam luftën, e tri herë e humbëm këmbëkryq e boll po tutna...

Marrëveshja u arrit më në fund, por rezultatet dhe zbatimi i saj do të kërkojnë mund dhe përpjekje edhe më të madhe. Sa do të ketë rezultate, do të shihet pas një kohë, sepse që tash hasi në pakënaqësi e pengesa .


“Punën e sotme mos e lërë për nesër “, thotë fjala popullore e në rastin tonë me 1999, kur armiku ikte nga Kosova, duhej që ta dëbonim deri përtej kufirit. Por, gabuam dhe e lamë brenda, e problemi që prej asaj dite vetëm rritej...

Gjatë historisë, sa herë që shtetet tjera kanë biseduar e kanë bërë marrëveshje, na kanë copëtuar nga një pjesë, por kjo sigurisht s’do të ndodh kësaj here pasi që vetë kemi folur në emër tonin dhe atë si shtet.

Sigurisht se po ta zgjidhnin vete problemin, do të ishte më mirë, por kur të grinden dy vetë e s’mund të pajtohen, ndërhyn i treti.

Gjatë fushatës zgjedhore, të gjitha partitë u zotuan se kanë plan për veriun e Mitrovicës, mirëpo asnjë plan nuk doli në dritë, e as që do të ishte i mundur zbatimi i ndonjë plani të tillë.

Gjatë takimeve në Bruksel kishte mungesë të madhe të informimit për opinionin e gjerë. Edhe ato pak intervista që i jepnin, i ngjanin lojës macja e miu, pasi ktheheshin në vendet e tyre, trimëroheshin e flisnin: jo ai lëshoi pe, jo unë thash kështu, e ashtu... ndërsa aty, te vendi, i ndërronin fjalët e flisnin butë, sepse ajo që vendoste ishte vetë “Zonja e hekurt”. Marrëveshja ka shumë mangësi, nuk është e detajuar mirë dhe mund të keqinterpretohet nga pala e kundërta.

Se kush çka tha e çka kërkoi gjatë bisedimeve, ecuria e takimeve do zbulohet pas një kohe të gjatë, sepse te ne çfarëdo që duhet ta dijë populli e merr veshë shumë vonë.

Marrëveshja 15 pikëshe - që nga çlirimi ne kosovarët jemi mësuar me plotësimin e planeve pikëshe (8-pikëshi i standardizimit, pakoja e Ahtisaarit, 6-pikëshi i Banit, 164-pikshi i mbetur i liberalizimit)

Palët negociuese menduan se me nënshkrimin e marrëveshjes do t’u hapen dyert për aspiratat tyre të reja, mirëpo BE-ja ua bëri me dije se drita jeshile do të ndizet vetëm pasi t’i shohin rezultatet në implementimin e saj.

Marrëveshja nuk u prit mire as nga veriu. Ata filluan menjëherë me protesta. Siç po shihet, zhavorri do të mbetet edhe një kohë të gjatë në rrugët e Mitrovicës.