“Marifeti më i zgjuar që prej Kalit të Trojës”: Vepra sovjetike e artit që spiunoi ShBA-në

Nga: Matt Wilson / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Një pajisje përgjimi fshehur brenda një vepre arti, në vitin 1945, mbeti për shtatë vjet e pazbuluar nga siguria amerikane - e ky nuk është shembulli i vetëm kur arti është manipuluar për qëllime të fshehta.
Tetë vjet më parë, gjatë javëve të fundit të Luftës së Dytë Botërore, një grup i vëzhguesve të rinj rusë i dhuruan ambasadorit amerikan në Moskë një Vulë të Madhe të ShBA-së - të gdhendur me dorë, në rezidencën e tij zyrtare në Shtëpinë Spaso. Dhurata simbolizonte bashkëpunimin mes Rusisë dhe ShBA-së gjatë luftës dhe atë ambasadori amerikan W. Averell Harriman e vari me krenari në shtëpinë e tij deri në vitin 1952.
Por, pa dijeninë e ambasadorit dhe të ekipit të tij të sigurisë, vula përmbante një pajisje të fshehtë përgjimi, që më vonë nga ekipet amerikane të sigurisë teknike u quajt “Gjëja” (“The Thing”). Krejtësisht e pazbuluar për shtatë vjet, pajisja spiunonte bisedat diplomatike. Duke përdorur një vepër arti që dukej e padëmshme për të depërtuar tek armiku dhe për të fituar një avantazh strategjik, sovjetikët kishin kryer mashtrimin më të zgjuar që prej Kalit të Trojës së Odisesë. Por, kjo është një histori e vërtetë edhe pse tingëllon si një roman spiunazhi.
Si funksiononte “Gjëja”? John Little, një specialist 79-vjeçar në kundërzbulim, për një kohë të gjatë është magjepsur nga kjo pajisje, madje ka ndërtuar edhe një kopje të saj. Një dokumentar mbi punën e tij të jashtëzakonshme u publikua këtë vit dhe, pas shfaqjes së parë në një sallë të mbushur në maj, pritet të shfaqet më 27 shtator në Muzeun Kombëtar të Informatikës në Parkun Bleçli në Bakingemshër.
Ai e përshkruan teknologjinë e “Gjësë” me terma muzikorë - e përbërë nga tuba si ato të një organoje dhe me një membranë “si lëkura e një daulleje që vibron me zërin e njeriut”. Por, gjithçka ishte futur në një objekt të vogël që dukej si një gjilpërë - me avantazhin që të kalonte pa u vënë re nga skanimet e kundërzbulimit, sepse nuk kishte “as elektronikë, as bateri, dhe nuk nxehej”.
Inxhinieria e një instrumenti të tillë ishte po ashtu shumë e përpiktë - “një përzierje mes një ore zvicerane dhe një mikrometri”. Historiani H. Keith Melton ka pohuar se, në kohën e vet, “Gjëja” e ngriti shkencën e përgjimit zanor në nivelin që më parë ishte konsideruar si i pamundur.

Brenda Shtëpisë Spaso, “Gjëja” aktivizohej vetëm kur një marrës-transmetues në distancë, i vendosur në një ndërtesë aty pranë, vihej në punë. Ajo dërgonte një sinjal me frekuencë të lartë, që reflektonte mbrapsht të gjitha vibrimet që vinin nga antena e pajisjes së spiunimit. Vetëm kur një radio-operator ushtarak britanik - i cili punonte në Moskë në vitin 1951 - rastësisht u kyç në të njëjtën gjatësi vale që përdorte “Gjëja” dhe dëgjoi biseda nga një dhomë e largët, pajisja u zbulua. Vitin pasues, teknikët amerikanë kontrolluan rezidencën e ambasadorit dhe - pas jo më pak se tre ditë kërkimesh - kuptuan se vula e madhe e gdhendur e ShBA-së ishte një vesh i padukshëm, që përgjonte diskutimet diplomatike prapa dyerve të mbyllura.
Duke reflektuar mbi suksesin e “Gjësë”, një nga teknikët rusë që e përdori atë, Vadim Goncharov, ka thënë se “për një kohë të gjatë vendi ynë arriti të merrte informacione specifike dhe shumë të rëndësishme që na dhanë disa përparësi ... gjatë Luftës së Ftohtë”. Dhe, deri më sot, askush jashtë shërbimeve sekrete sovjetike nuk e di se sa “Gjëja” të tjera mund të jenë përdorur nga BRSS-ja për të spiunuar Perëndimin në atë kohë.
Por, suksesi i saj si pajisje përgjimi nuk lidhej vetëm me origjinalitetin teknik. Ajo ishte efektive sepse shfrytëzoi qëndrimet kulturore ndaj objekteve të bukura. Ne kemi prirje t’u besojmë veprave të artit dhe sendeve dekorative si simbole pasive të statusit, shijes ose interesit kulturor. Inteligjenca ruse e shndërroi këtë supozim në armë përmes Vulës së Madhe të gdhendur në dru panje.
Dhe, ky nuk është shembulli i vetëm nga historia e artit që është manipuluar për spiunazh, mashtrim dhe strategji ushtarake. Përveç se pikturoi Mona Lizën, Leonardo da Vinci gjithashtu projektoi tanke dhe armë për rrethim kështjellash, ndërsa Peter Paul Rubens shërbeu si spiun gjatë Luftës Tridhjetëvjeçare. Artistët nga vende të ndryshme, gjatë Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore, hartuan operacione kamuflazhi dhe mashtrimi, ndërsa Anthony Blunt, një historian britanik i artit (dhe kujdestar i Koleksionit Mbretëror të Artit) ishte spiun sovjetik gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore dhe në fillimet e Luftës së Ftohtë.
Në rastin e çuditshëm të “Gjësë”, edhe historia muzikore është e rëndësishme. Shpikësi i saj i zgjuar, Lev Sergeyevich Termen, i njohur më shumë si Léon Theremin, ishte shpikës me origjinë ruse dhe një muzikant i talentuar. Ai shpiku instrumentin e parë elektronik në botë të njohur - sipas krijuesit të tij - si Theremin. Mund të interpretosh në të pa prekur asgjë - lëvizjet e dorës në ajër rreth antenave kontrollojnë notat. Tingulli i tij i frikshëm u bë sinonim në kolonat zanore të filmave amerikanë të fantashkencës të viteve ‘50 të shekullit XX - ndoshta më së shumti me filmin Dita kur Toka ndaloi [The Day the Earth Stood Still, 1951] i cili, në mënyrë domethënëse, shpesh përmendet si një alegori për paranojën e Luftës së Ftohtë.

Pas zbulimit të saj, “Gjëja” u mbajt sekret nga inteligjenca amerikane. Por, në maj të vitit 1960, në kulmin e garës bërthamore, një aeroplan amerikan i spiunazhit, U-2, ra në Rusi. Në trazirat diplomatike që pasuan, zyrtarët e Departamentit të Shtetit të ShBA-së ekspozuan publikisht Vulën e Madhe në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të dëshmuar se spiunazhi i Luftës së Ftohtë nuk ishte i njëanshëm. Infiltrimi i rezidencës së një ambasadori ishte një shkelje aq e turpshme sigurie, beson John Little, “saqë duhej rrëzimi i një aeroplani spiunazhi që ‘Gjëja’ të dilte realisht në domenin publik”. Por, mjeshtëria e vërtetë teknike e “Gjësë” nuk iu zbulua kurrë publikut të gjerë.
Prapa dyerve të mbyllura, pajisja u studiua në detaje nga kundërspiunazhi britanik, që i vuri emrin e koduar SATYR. Dhe, hollësitë e saj mbetën sekret shtetëror derisa ish-oficeri i sigurisë, Peter Wright, i zbuloi të gjithat në kujtimet e tij Gjuetari i spiunëve [Spycatcher] në vitin 1987.
“Gjëja” i ka magjepsur historianët për shkak të sofistikimit teknik që kishte në atë kohë dhe për mënyrën se si e formësoi lojën e spiunazhit gjatë Luftës së Ftohtë. Por, ai gjithashtu zbulon një histori të çuditshme dhe më të errët të kulturës së lartë, që ndodh jashtë shkëlqimit të sallave të operës dhe galerive të artit, ku muzikantët klasikë shpikin pajisje përgjimi, ndërsa veprat e artit të gdhendura me dorë shndërrohen në instrumente për mbledhjen e inteligjencës ushtarake. /Telegrafi/

















































