Maqedonia në udhëkryq

Agim Nesho
Presidenti i Maqedonisë, Ivanov, nuk pranoi t’i jepte besimin për krijimin e qeverisë, z. Zaev, lider i LSDM, me arsyen se shumica e krijuar prej tij mbështet një platformë shqiptare të negociuar jashtë vendit, duke prekur sovranitetin e Maqedonisë.
Përmes arsyetimit të tij, për ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti sovran, krizën kushtetuese brenda vendit ai e drejton në një konflikt etnik midis dy grupeve etnike më të mëdha shtetformuese të Maqedonisë. Ky qëndrim i përsëritur i presidentit Ivanov është tregues i njëanshmërisë dhe militantizmit partiak të tij, si pjesë e interesave të grupimit politik të Gruevskit dhe jo një garantues i unitetit të shtetit.
Para pak kohësh, me anë të një dekreti presidencial, ai fali eksponentë të lartë të ekzekutivit për veprime jo të zakonshme, por pikërisht të provokimit të krizës politike në vend, duke vepruar në nxitje të urrejtjes etnike dhe ndarjes së vendit. Qëndrimi i tij militant kërkon të mbajë në pushtet regjimin e Gruevskit duke luajtur me nacionalizmin dhe përdorur si justifikim “Platformën e Tiranës”. Për më tepër, ai veproi me dy standarde, në kohën e negocimit të Gruevskit me partitë shqiptare, të cilat kishin të njëjtën platformë, që sipas tij ishte negociuar në një vend të huaj.
Përmbajtja e platformës dhe negocimi i saj janë dy gjëra të ndryshme, prandaj qëndrimi i tij, si garantues i stabilitetit të vendit, duhet të ishte parimor dhe jo konjuktural. Platforma e partive politike shqiptare qëndron në princip të respektimit të Marrëveshjes së Ohrit, të garantimit të të drejtave të shqiptarëve në shtetin e tyre, ku ata për nga përfaqësimi janë element shtetformues. Shqiptarët nuk kërkojnë asgjë më shumë sesa respektimi i të drejtave të tyre në një shtet demokratik, për t’u ndjerë të barabartë dhe të vlefshëm në shtetin e tyre. Në qoftë se Maqedonasit e pranuan Marrëveshjen e Ohrit si një imponim dhe konjukturë që duhej pranuar për momentin kur u nënshkrua, por që në koshiencë besonin se dëmtonte interesat e tyre, kjo tregon falsitetin e klasës politike Maqedonase, që si rrjedhojë e ka kthyer vendin në një arenë të re të nxitjeve etnike.
Shqiptarët votuan në zgjedhjet e fundit masivisht për opozitën e LSDM-në, jo sepse kjo parti është më pak nacionaliste se partia e Gruevskit, por se demokracia në Maqedoni ishte në rrezik dhe e kapur nga interesat oligarkike të një pushteti të korruptuar. Lëvizja e elitave politike dhe ndryshimi i regjimit është një aksion politik për ta bërë sa më funksionale demokracinë në Maqedoni. Klasa politike në Maqedoni duhet të kuptojë se sa më shpejt të bëjë integrimin e qytetarëve të saj, sa më parë të njohë dhe respektojë të drejtat e tyre, aq më shpejt forcon shtetin e saj dhe i jep frymëmarrje demokracisë. Frika e krijimit të një shteti binacional, që më vonë mund të fragmentizohet, shpjegon më tepër psikologjinë nacionaliste dominuese të serbo-maqedonasve sesa rrezikun real të shpërbërjes së Republikës, garantues të së cilës nuk mund të jenë vetëm as maqedonasit, as shqiptarët, por komuniteti ndërkombëtar që siguron paqen dhe stabilitetin në rajon. Por, të mos ishte kjo garanci, nuk do të kishte asnjë arsye dhe nuk do të kishte asnjë pengesë për të rimodeluar shtetin e brishtë të Maqedonisë.
Vendimi i Presidentit Maqedonas Ivanov, i cili në shkelje të kushtetutës mund të shkaktojë një përshkallëzim të krizës, duhet parë me kujdes dhe qetësi nga të gjitha vendet ballkanike që kanë interesa direkte apo stabiliteti në rajon. Kjo ishte edhe kërkesa e Departamentit të Shtetit që bën thirrje për krijimin e qeverisë së re në Maqedoni. Qeveria Shqiptare, si përfaqësuese e një vendi që ka detyrime në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve, duhet të veprojë me maturi dhe pa provokuar ndjenjat nacionaliste të kombësisë shqiptare në Maqedoni, ruajtur integritetin dhe sovranitetin e shtetit Maqedonas. Diplomacia e aparencës (show diplomacy) dhe protagonizmi i shtuar sjellin pasoja të paparashikuara, tension, krizë dhe në rastin më të keq edhe konflikt.
Kriza në Maqedoni u jep shkas fuqive rajonale, si Rusia dhe Turqia, të kthejnë vëmendjen në rajon dhe gjetur mundësitë për rritjen e zonave të tyre të interesit në Ballkanin Perëndimor. Për më tepër, një krizë ndëretnike në Maqedoni i jep mundësi Rusisë për skenarë të rinj gjeostrategjikë në një rajon që është definuar dhe bën pjesë në hapësirat perëndimore Europiane dhe arkitekturën e sigurisë Euro-Atlantike.
Qytetarët shqiptarë të Maqedonisë dhe partitë politike Shqiptare nuk kanë nevojë për përkujdesje dhe as për mbrojtje, për më tepër t’u japin rëndësi figurave politike Shqiptare që nuk e kanë të qartë se çfarë kërkojnë dhe duan të arrijnë. Ata kanë përpara tyre një çështje të drejtë, që do të realizohet në luftën e tyre të përkushtuar për ndërtimin e institucioneve demokratike në shtetin e tyre. Kjo luftë për demokraci do të rrisë edhe peshën specifike të tyre si faktorë të rëndësishëm të integrimit perëndimor të Maqedonisë.








































