LAJMI I FUNDIT:

Maqedoni, 835 kërkesa për pushim falas për punëtorët me paga të ulëta

Maqedoni, 835 kërkesa për pushim falas për punëtorët me paga të ulëta

Përgatitjet për sezonin turistik dhe interesimi i qytetarëve për masën qeveritare për mbështetjen e turizmit lokal me pushim falas për punëtorët me paga të ulëta, ishin temë e takimit të djeshëm në Strugë të ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi me përfaqësues të hoteleve, restoranteve, kafeneve dhe autokampeve (HOTAM).

Deri më tani janë dorëzuar 835 kërkesa për shfrytëzimin e masës për të cilën sivjet Ministria e Ekonomisë i siguroi 30 milionë denarë dhe dedikohet për 2.000 familje, të ardhurat mujore të së cilave nuk tejkalojnë 22 mijë denarë pagë neto, përcjell Telegrafi Maqedoni.


Ministri Bekteshi potencoi se pas pilot projektit të vitit të kaluar për mbështetjen e turizmit të brendshëm i cili dha rezultate të dukshme, Ministria e Ekonomisë vazhdon me masën e njëjtë edhe këtë vit, në bashkëpunim me sektorin privat.

Për shfrytëzimin e masës punëtorët me paga të ulëta mund të aplikojnë deri në fund të këtij muaji.

Bekteshi para hotelierëve tha se Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria janë të përkushtuara në turizmin si ndaj një sektori ekonomik prioritar dhe tashmë janë ndërmarrë një sërë aktivitetesh me çka Maqedonia bëhet destinacion më i dukshëm në hartën turistike.