Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka caktuar paraburgim për 23 të pandehur, të dyshuar për kryerjen e veprave penale kundër të drejtës së votimit, kanosje, marrje ryshfeti dhe dhënie ryshfeti.

Pas katër seancave dëgjimore, gjyqtarët e procedurës paraprake vendosën që 21 të pandehurve: O.Sh., V.B., A:K., B.B., A.H:, A.K., Gj.Sh., L.K., B.Xh., E.G., I.P., I.H., A:D., dhe B:B., D.Sh., J.H., S.B:, A.L., Q.K., A.V., M.J, t’u caktohet paraburgimi për një muaj, i cili mund të zgjasë deri më 23 shkurt 2026.


Ata dyshohen se kanë kryer veprën penale falsifikim i rezultateve të votimit, nga neni 216 paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.

Po ashtu, ndaj një të pandehure, A.V., është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, deri më 23 shkurt 2026, nën dyshimet për kryerjen e dy veprave penale: falsifikim i rezultateve të votimit dhe marrje ryshfeti, sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal.

Ndërkohë, edhe ndaj një të pandehuri, G.P., në cilësinë e vëzhguesit, është caktuar masa e paraburgimit njëmujor deri më 23 shkurt 20206, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale kanosje dhe dhënie ryshfeti

Nga Gjykata është bërë e ditur se vërtetësia e këtyre dyshimeve dhe argumentimi i fakteve do të vlerësohen në fazat e mëtejme të procedurës penale. /Telegrafi/