Sir Jim Ratcliffe thuhet se ka zbuluar se sa kohë do t’i jepet Ruben Amorimit në detyrën e trajnerit të Manchester United.

Në nëntor të vitit 2024, Amorim u emërua si pasues i Erik Ten Hag, i cili u shkarkua pas një humbjeje 2-1 ndaj West Ham United. Për shkak të rekordeve mbresëlënëse që kishte me Sporting Lisbonën, Amorimi pritej të ishte më në fund njeriu që do ta kthente Unitedin në majat e futbollit.


Megjithatë, 40-vjeçari ka hasur vështirësi të mëdha në zbatimin e stilit të tij të lojës dhe rezultatet kanë qenë larg pritshmërive.

Aktualisht, Manchester United ndodhet në vendin e dhjetë në tabelën e Ligës Premier, gjashtë pikë prapa kryesuesve të Arsenalit.

Në javët e fundit, e ardhmja e Amorimit është vënë në pikëpyetje për shkak të formës së dobët të ekipit. Duke folur së fundmi, drejtuesi i INEOS, Sir Jim Ratcliffe, i cili zotëron 25 për qind të aksioneve të Manchester United, ka sqaruar se sa kohë do të ketë Amorim për të dëshmuar vlerat e tij si trajner.

“Nuk ka pasur një sezon të shkëlqyer. Ruben duhet të tregojë se është një trajner i madh gjatë një periudhe trevjeçare. Kjo është mënyra si e shoh unë situatën”.

“Shtypi, ndonjëherë nuk e kuptoj. Ata duan sukses të menjëhershëm. Mendojnë se është si një çelës ndriçimi, e shtyp dhe menjëherë gjithçka bëhet perfekte”.

“Nuk mund ta menaxhosh një klub si Manchester United duke reaguar me nxitim ndaj çdo gazetari që shpërthen emocionalisht çdo javë”, ka thënë Ratcliffe.

Në mesin e pasigurive rreth të ardhmes së Ruben Amorimit, një sërë emrash të tjerë janë lidhur më herët me një lëvizje drejt ‘Old Trafford’.

Deri më tani, emra si Oliver Glasner, Gareth Southgate, Zinedine Zidane dhe Unai Emery janë përmendur si pasues të mundshëm të Amorimit./Telegrafi/

telegrafi sport app