Liverpooli është në kërkim të një anësori të ri dhe po përgatitet për largimin e Mohamed Salahut. Pikërisht për këtë arsye, klubi nga “Anfield” kishte shfaqur interes për Antoine Semenyo, por reprezentuesi i Ganës vendosi të bashkohej me Manchester Cityn.

Pas këtij zhvillimi, drejtuesit e Liverpoolit kanë zhvendosur vëmendjen te një tjetër anësor, këtë herë nga Barcelona. Megjithatë, ata nuk janë të vetmit që po e ndjekin situatën e lojtarit, pasi edhe Manchester United është futur seriozisht në garë.


“Djajtë e Kuq” pritet të ndahen me Marcus Rashfordin në verë, pas periudhës së tij mbresëlënëse te “Camp Nou”, dhe kjo i ka shtyrë drejtuesit e klubit të kërkojnë një zëvendësues në krahë. Si pasojë, Manchester United është gati të rivalizojë Liverpoolin për nënshkrimin e anësorit të Barcelonës, Raphinha, përpara afatit kalimtar të verës.

Reprezentuesi brazilian u largua nga Leeds United në korrik të vitit 2022 për t’u bashkuar me Barcelonën, në një marrëveshje që kapte vlerën rreth 55 milionë funte.

Në këtë sezon, Raphinha ka regjistruar nëntë gola dhe tri asistime në 18 paraqitje në të gjitha garat. Ai ka shënuar në dy ndeshje radhazi ndaj Real Oviedos dhe FC Copenhagenit, gjë që ka ringjallur interesimin nga Liga Premier.

Sipas raportimeve të “El Nacional”, si Manchester United ashtu edhe Liverpool janë të gatshëm ta testojnë vendosmërinë e Barcelonës. Dy gjigantët anglezë thuhet se janë të përgatitur të ofrojnë rreth 95 milionë euro, afërsisht 82 milionë paund, për të arritur një marrëveshje gjatë verës.

Ndërkohë, interesim të fortë ka shfaqur edhe klubi saudit Al-Hilal. Megjithatë, sipas të njëjtave burime, Raphinha e ka refuzuar kategorikisht një transferim drejt Lindjes së Mesme. Ai e ka bërë të qartë se prioriteti i tij është të qëndrojë në Evropë.

Në rast se arrihet një marrëveshje, braziliani do të përfitonte një rritje të ndjeshme të pagës, duke mundur të fitojë rreth 22 milionë euro neto në sezon./Telegrafi

telegrafi sport app