Man Utd fut një lojtar surprizë të Ligës Premier në listën e blerjeve të verës

Manchester United ka shtuar një objektiv të papritur në listën e transferimeve për verën, pasi trajneri Michael Carrick konfirmoi planet e klubit për përforcime të tjera në afatin kalimtar.
United bëri investime të rëndësishme në repartin ofensiv verën e kaluar, duke transferuar Benjamin Sesko, Matheus Cunha dhe Bryan Mbeumo.
Edhe pse klubi shpenzoi mbi 70 milionë euro për secilin prej këtyre lojtarëve, “Djajtë e Kuq” synojnë të afrojnë edhe sulmues të tjerë kur të hapet sërish afati kalimtar këtë verë.
Sipas raportimeve të Daily Mail, Manchester United ka shtuar në listën e objektivave për krahun e majtë Marcus Tavernier.
Futbollisti 26-vjeçar ka shkëlqyer këtë sezon me Bournemouth, duke shënuar gjashtë gola dhe duke dhënë pesë asistime. Ai iu bashkua klubit në verën e vitit 2022 dhe ka kontratë në ‘Vitality Stadium’ deri në vitin 2029.
Sipas raportit, vlera e tij mund të arrijë rreth 47 milionë euro, ndërsa Bournemouth mund të jetë i gatshëm ta shesë lojtarin, duke qenë se klubi shpesh ka bërë shitje strategjike për të siguruar fitim dhe për të zbuluar talente të reja me kosto më të ulët.

Tavernier po tërheq interes edhe nga Aston Villa dhe Nottingham Forest, të cilat kishin bërë pyetje për të gjatë afatit kalimtar të janarit.
Manchester United do ta monitorojë nga afër situatën, ndërsa vendimi përfundimtar do të varet edhe nga pozita ku skuadra do ta përfundojë sezonin, pasi synimi i klubit është sigurimi i një vendi në Ligën e Kampionëve.
Kualifikimi në këtë kompeticion do ta ndihmonte United të fitojë garën për lojtarë si Tavernier, megjithëse klubi arriti të transferojë Sesko, Cunha dhe Mbeumo edhe pa qenë pjesë e garës më prestigjioze të klubeve në Evropë./Telegrafi/





















































