Man City ka hequr dorë nga Bernardo Silva - nuk ka kontratë të re për portugezin

Mesfushori portugez Bernardo Silva (31), i cili prej tetë vitesh është një nga shtyllat kryesore të Manchester Cityt, duket se po i afrohet fundit të aventurës së tij në Etihad.
Sipas mediave britanike, drejtuesit e klubit nuk kanë ndërmend t’i ofrojnë rinovim kontrate, e cila skadon në qershor të vitit të ardhshëm, duke e detyruar lojtarin të kërkojë një destinacion të ri.
Silva pritet të ndjekë rrugën e Kevin De Bruyne (34), i cili këtë verë u largua pas dhjetë viteve si lider i Man Cityt dhe nënshkroi me kampionët e Italisë, Napolin.

Gjatë tetë sezoneve në Manchester, Bernardo Silva ka lënë gjurmë të forta: 72 gola, 74 asiste, gjashtë tituj të Ligës Premier, dy FA Cup dhe mbi të gjitha, triumfin historik në Ligën e Kampionëve më 2023.
Aktualisht, ai është lojtari i dytë më i paguar i Man Cityt, me 18 milionë euro në sezon, pas Erling Haalandit që fiton rreth 32 milionë euro.
Për të ardhmen e mesfushorit, më së shumti përmendet rikthimi tek Benfica – klubi ku ai filloi si 13-vjeçar – ndërsa në garë shihet edhe Juventusi, që e sheh si një përforcim të madh për mesfushën.

Duket se vera e ardhshme do të shënojë një kthesë të madhe në karrierën e portugezit që ka fituar gjithçka në Angli. /Telegrafi/




















































