Man City me akuza të rënda ndaj Ligës Premier për ‘favorizim’ të Arsenalit dhe tri klubeve tjera

Një raport i ri ka detajuar se pse Manchester City po përgatit veprime të mëtejshme ligjore ndaj Ligës Premier, me çështjen që është e ndarë nga 130 akuzat mbi dyshimet për thyerje të rregullave financiare.
Vitin e kaluar, City fitoi një betejë ligjore kundër rregullave të Transaksionit me Partitë e Asociuara (APT), të cilat vlerësojnë nëse marrëveshjes mes klubeve dhe subjekteve të lidhura me pronësinë e tyre përfaqësojnë një vlerë të drejtë tregu.
City pretendoi se ata kanë qenë ‘viktimë’ e këtyre rregullave dhe i kanë cilësuar ato si një ‘tirani e shumicës’.
Me pak fjalë, pasi marrëveshjet e propozuara me Etihad Airways dhe First Abu Dhabi Bank ishin bllokuar në vitin 2023, City e çoi Ligën Premier në gjyq. Atje ata pretenduan se rregullat e APT-së ishin të paligjshme.
Dhe tani, i njëjti medium ka sugjeruar se City po nis një veprim të ri ligor ndaj Ligës Premier, pasi ata pretendojnë se rregullat e ndryshuara të sponsorizimit po vazhdojnë të ‘diskriminojnë’ ata dhe në të njëjtën kohë po i japin rivalëve të tyre një avantazh të padrejtë.
Tek këta rivalë përfshihen Arsenali, të cilët dyshohet se kanë përfituar nga një hua e aksionerëve rreth 259 milionë euro në sezonin 2022/2023, e po ashtu edhe Brighton të cilët thuhet se kanë përfituar hua rreth 406 milionë euro në sezonin 2021/2022.
Evertoni dhe Leicester City ishin po ashtu të përfshirë në 88 faqet e provave, sipas Daily Mail.
Është thënë se i njëjti panel i cili qëndroi në anën e Cityt në ankesën e tyre origjinale, do të marrë vendimin sërish.
City pretendon se një numër i vogël ndryshimesh në rregullat ekzistuese do të ishte e mjaftueshme, duke argumentuar se rregullat ashtu siç janë "dështojnë të plotësojnë kërkesat e transparencës, objektivitetit, saktësisë dhe proporcionalitetit" si dhe "rrezikojnë të shtrembërojnë konkurrencën"./Telegrafi/










































