Mos e detyroni fëmijën të zgjedhë mes mamit dhe babit, sepse kjo lë plagë të thella

Shumë fëmijë përballen me divorcin e prindërve dhe, edhe kur mami dhe babi gjatë procesit përpiqen maksimalisht t’i mbrojnë, është gjithmonë e rëndësishme që fëmija të ketë mbështetje, mirëkuptim dhe ndihmë të duhur, sepse divorci mund të dhembë. Edhe pse sot divorci është më i zakonshëm, kjo nuk e zvogëlon lëndimin, trishtimin, zemërimin dhe konfuzionin që fëmijët ndiejnë në këto situata.


Çfarë duan fëmijët e prindërve të divorcuar që prindërit e tyre ta dinë:

1. Thoni të vërtetën

Divorci i gjen shumë fëmijë të papërgatitur. Ata mund të mos kenë pasur asnjë ide se një gjë e tillë mund të ndodhë. Kur prindërit ndahen, fëmijët ndihen sikur bota e tyre është përmbysur dhe nuk janë të sigurt se ku mund të mbështeten.

Ky nuk është momenti për të fshehur të vërtetën apo për ta zbukuruar realitetin. Fëmijët mund ta përballojnë të vërtetën, ata thjesht kanë nevojë ta dinë dhe ta dinë me kohë. Prindërit duhet t’u tregojnë nëse kanë një partner të ri, nëse po zhvendosen, nëse kanë nevojë për operacion apo për çdo gjë tjetër të rëndësishme në jetën e tyre, edhe nëse e dinë se kjo mund t’i bëjë fëmijët të trishtuar. Mos prisni shumë gjatë për t’u thënë të vërtetën, dhemb më shumë kur fëmija e kupton se i është fshehur diçka ose kur e merr vesh nga dikush tjetër.

2. Bëni atë që premtoni

Nëse thoni diçka, bëjeni. Mos jepni premtime që nuk mund t’i mbani. Nëse thoni se do t’i çoni fëmijët në park apo në kopshtin zoologjik të shtunën, bëjeni. Nëse nuk jeni të sigurt se mund ta përmbushni një angazhim, më mirë mos u zotoni. Është më mirë që fëmija ta dijë se nuk mund ta çoni diku, sesa të humbasë besimin tek ju për shkak të anulimit të një takimi.

Fëmijët duan që ju të dëshironi të jeni pranë tyre. Në familjet e divorcuara ata kalojnë shumë emocione, ndonjëherë janë të mërzitur, të zemëruar apo kokëfortë. Mund të thonë madje se nuk duan që ju të jeni aty. Por thellë brenda vetes, ata duan që ju të dëshironi të jeni pranë tyre dhe duan ta shohin këtë në veprime, transmeton Telegrafi.

3. Mos më detyroni të zgjedh anën

Kjo situatë mund të lërë pasoja të thella. Kur fëmija e do si mamin ashtu edhe babin, ai nuk duhet të bëhet “ura” mes tyre. Kur prindërit e bombardojnë me dhurata, bindje apo lutje, fëmija ndodhet në një pozitë të vështirë, duke u përpjekur të vendosë cili është “më i miri”. Kjo dhemb.

4. Mos flisni keq për prindin tjetër

Fjalët që prindërit thonë për njëri-tjetrin mund të lënë gjurmë të thella në zemrën e fëmijës dhe të ndikojnë në mënyrën se si ai e sheh dashurinë dhe marrëdhëniet në të ardhmen. “Prindërit e mi u divorcuan kur isha 4 vjeç. Nëna ime dhe gjyshërit shpesh thoshin: ‘Sikur babai yt të të donte vërtet, ai do të…’. U rrita me bindjen se babai ose nuk më donte, ose nuk dinte si të më donte. Kurrë nuk ndjeva afërsi me të, edhe pse ishte njeri i ndershëm dhe punëtor. Si këshilluese financiare për divorcet, unë i inkurajoj prindërit që të shmangin fjalët negative për prindin tjetër para fëmijëve. Kjo mund të ketë ndikim shkatërrues në aftësinë e fëmijës për të ndërtuar marrëdhënie dashurie”. /Telegrafi/