Malisheva pret Vikingur Reykjavikin në Fadil Vokrri, synohet fitorja në ndeshjen e parë
Malisheva e nis për herë të dytë në histori rrugëtimin evropian, duke marrë pjesë në kualifikimet për Ligën e Konferencës.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Bekim Isufi do të përballet me islandezët e Vikingur Reykjavik, në një sfidë që zhvillohet sot në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 20:15.
Në letër, mysafirët konsiderohen favoritë për shkak të përvojës më të madhe në Evropë, por Malisheva është e vendosur të luftojë për një fitore para tifozëve të saj.
Trajneri Isufi dhe ekipi i tij kanë punuar me përkushtim gjatë fazës përgatitore, dhe tash synojnë që ta shfrytëzojnë sa më mirë avantazhin e fushës dhe përkrahjen e publikut.
Pavarësisht se përballen me një kundërshtar të fortë, malishevasit janë të motivuar për të lënë gjurmë dhe për të bërë hapin e parë drejt kualifikimit.
Sfida e kthimit do të luhet pas një jave në Islandë, por synimi kryesor mbetet marrja e një rezultati pozitiv në ndeshjen e parë në Prishtinë. /Telegrafi/






























