Hyundai ka shkaktuar habi me dy modelet e saj të reja, pasi versionet bazë nuk ofrojnë standard panelin digjital të instrumenteve para shoferit.

Modelet e reja Ioniq 3 dhe Elantra vijnë me sistemin e ri multimedial Pleos Connect, të bazuar në Android Automotive OS, dhe me ekrane të mëdha qendrore që mund të arrijnë deri në 14.6 inç. Por surpriza fshihet pas timonit.


Në versionet hyrëse, blerësit nuk e marrin standard ekranin 9.9-inç të instrumenteve, i cili tregon shpejtësinë dhe informacionet kryesore të automjetit. Për ta pasur atë, duhet të zgjidhet një paketë më e shtrenjtë ose të paguhet si opsion.

Në Korenë e Jugut, për shembull, paneli dixhital për Hyundai Elantra kushton rreth 350 mijë wonë, ose afërsisht 255 dollarë shtesë.

Ndërsa në Britani, Ioniq 3 e ofron këtë ekran vetëm duke kaluar në nivelin e dytë të pajisjeve, transmeton Telegrafi.

Ironikisht, fotografitë zyrtare të Hyundai-t tregojnë kryesisht versionet me panelin digjital, ndërsa konfiguratorët zbulojnë se modelet më të lira mund të dalin nga fabrika pa të.

Ky është një tjetër shembull i tendencës së industrisë së automobilave për të ulur kostot dhe për t'i kthyer gjithnjë e më shumë pajisje në opsione me pagesë.

Megjithatë, Hyundai ende ruan kontrollet fizike për shumë funksione, ndryshe nga disa prodhues që po i zhvendosin pothuajse të gjitha komandat në ekranin qendror.

Sistemi i ri Pleos Connect pritet të përdoret në rreth 20 milionë automjete deri në fund të dekadës, jo vetëm nga Hyundai, por edhe nga markat motra Kia dhe Genesis.

Pra, në epokën e ekraneve gjigante, Hyundai po i kërkon blerësit të paguajë ekstra edhe për diçka që dikur konsiderohej pjesë themelore e çdo makine: panelin para timonit. /Telegrafi/