LAJMI I FUNDIT:

“Majmunët në Parlament”

“Majmunët në Parlament”

Një pikturë e bërë nga artisti anonim Bansky, me disa shimpanze të ulur në Parlamentin britanik në vendet e deputetëve, do të dalë në ankand javën tjetër, ndërsa pritet të shitet për një shifër prej rreth 2.5 milionë dollarësh. Çmimi kaq i lartë nuk është vetëm për shkak të mesazhit të fortë që kjo pikturë përcjell, por edhe për shkak të artistit.

Bansky është një artist rrugësh, aktivist politik, regjisor filmash shumë i njohur tashmë, por ende anonim gjë që ngjall shumë kureshtje dhe mbështetje në publik.

Piktura në fjalë është plot katër metra e lartë, duke u bërë kështu edhe piktura më e madhe e artistit anonim.


Vepra ka marrë vëmendje kohëve të fundit, për shkak të problemeve që po has Parlamenti britanik me daljen nga Bashkimi Evropian. Për këtë arsye, shtëpia e ankandeve ka vendosur që ta vlerësojë nga 1.84 deri në 2.46 milionë dollarë.

Ekspertët thonë se kjo vepër ka një vlerë të jashtëzakonshme sot, jo vetëm në Britaninë e Madhe por në të gjithë botën për shkak të marrjes së frenave të pushtetit nga liderë të tipit Donald Trump, Boris Johnson, Vladimir Putin dhe të tjerë më të vegjël.

“Një prej demokracive më të vjetra në botë po kthehet pas në kohë drejt sjelljeve tribale të kafshëve”, thonë kritikët e artit.

Vepra është e vitit 2009 dhe do të dalë në ankand ditën e enjte, më 3 tetor.