Magjia e artit për fëmijët e Pejës – artisti italian Francesco Micheloni sjell spektakël falas këtë fundjavë
Një fundjavë e mbushur me magji dhe emocione i pret fëmijët e qytetit të Pejës!
Të shtunën, më 3 maj 2025, në ora 17:00, në kinemanë “Jusuf Gërvalla”, do të mbahet një mbrëmje e veçantë magjie dhe argëtimi me magjistarin e njohur italian Francesco Micheloni, që vjen nga qyteti Pistoia i Italisë.
Ngjarja organizohet nga Peja Lions Club, në bashkëpunim me Komunën e Pejës – Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, dhe Lions Club Abetone – Pistoia.
Hyrja është falas për të gjithë, ndërsa shkollat dhe grupet e organizuara ftohen të konfirmojnë pjesëmarrjen paraprakisht për shkak të numrit të kufizuar të vendeve në sallë.
Kjo performancë është një dhuratë e veçantë për fëmijët e Pejës – një shfaqje ku bashkohen arti, fantazia dhe kultura, duke sjellë buzëqeshje dhe përjetime të paharrueshme.
Organizatorët ftojnë të gjithë qytetarët të bashkohen në këtë mbrëmje që premton emocione të veçanta dhe një atmosferë magjike./Telegrafi/






























