Macron do të emërojë një kryeministër të ri brenda 48 orëve

Presidenti francez Emmanuel Macron do të emërojë një kryeministër të ri brenda 48 orëve nga mbrëmja e së mërkurës, njoftoi Pallati Elize.
Kryeministri në largim Sébastien Lecornu dha të njëjtin informacion gjatë një interviste më herët të mërkurën në mbrëmje, ndërsa deklaroi gjithashtu se misioni i tij i negociatave me partitë e tjera tani kishte "mbaruar".
Duke folur për transmetuesin francez France 2, Lecornu konfirmoi se ishte takuar me presidentin më herët gjatë ditës për të dhënë rezultatin e raundit të tij të fundit të konsultimeve, përcjell Telegrafi.
Ndërsa ai përjashtoi një rikthim në kryeministër gjatë intervistës, ai këmbënguli se "një rrugë është e mundur" dhe bëri thirrje për një qeveri "plotësisht të shkëputur nga ambiciet presidenciale për vitin 2027".
Lecornu hodhi poshtë spekulimet në rritje rreth zgjedhjeve të reja parlamentare.
"Ekziston një shumicë absolute në Asamblenë Kombëtare kundër shpërbërjes", tha ai, duke pretenduar se "210 deputetë duan një platformë stabiliteti".
Kjo shumicë, argumentoi ai, mund t'i jepte Macron një themel për të emëruar një kryeministër të ri, por refuzoi të jepte më shumë informacion.
Ndërsa disa nga ish-aleatët e Macronit - përfshirë ish-kryeministrin e tij Édouard Philippe - i kanë bërë thirrje atij të japë dorëheqjen pas miratimit të buxhetit të vitit 2026, Lecornu e hodhi poshtë me vendosmëri këtë ide.
"Nuk është momenti për të ndryshuar presidentin".
Lecornu përmendi paqëndrueshmërinë globale dhe rolin diplomatik të Francës si arsye të mëtejshme për ruajtjen e stabilitetit në krye. /Telegrafi/
















































