LAJMI I FUNDIT:

Macja fluturuese dhe një Banksy që digjet: Pse çmimet e artit digjital papritmas po i prekin majat?

Macja fluturuese dhe një Banksy që digjet: Pse çmimet e artit digjital papritmas po i prekin majat?
Banksy në flakë, më i vlefshëm se origjinali!

Një vepër e Banksyt u shit për 382 mijë dollarë, pavarësisht se i dilte tymi, ndërsa një karikaturë e maces merr dyfishin e kësaj shume. E gjitha kjo fal NFT-së – një forme të re të kripto-valutës. Por, a është fjala për një flluskë? Pjesë të shkrimit të kritikut Stuart Jeffries, të publikuar në ditoren “Guardian”, Telegrafi sjell më poshtë.

Javën e kaluar, një burrë me maskë ia vuri flakën grafikës “Morons (White)”, të artistit anonim të njohur si Banksy. Akti i shkatërrimit u shfaq drejtpërdrejt në Twitter, përmes llogarisë @BurntBanksy. Ky burrë punonte për kompaninë e quajtur Injective Protokol, që e ka blerë veprën për 95 mijë dollarë, për ta shkatërruar dhe për ta zëvendësuar atë me një faksimile unike digjitale. Quhet kripto-art dhe, nëse doni të dini nivelin në të cilin po lulëzon, ju tregojmë se vepra e djegur shkoi në 382 336 dollarë, katër herë më shumë se çmimi fillestar.

Që nga artisti Ai Weiwei që shkatërroi një vazo 2000-vjeçare e deri te vëllezërit Chapman që i dëmtuan grafikat e Goyas, artistët nuk janë të panjohur për shkatërrimin krijues. Por, kjo është diçka ndryshe. Djegia e grafikës “Morons (White)” paraqet herën e parë kur një vepër fizike arti zëvendësohet nga një aset unik digjital. “E shohim këtë ngjarje të djegies si një shprehje artit”, ka thënë Mirza Uddin – drejtori ekzekutivi i Injective Protokol. “Qëllimisht e kemi zgjedhur një vepër të Banksyt, pasi në një ankand më parë ai e kishte copëtuar një vepër të tij”.


Por, kush do ta paguante një shumë aq të madhe për diçka të paprekshme – një meme, një copë të video-artit ose një renderim digjital të një grafike, kur të gjitha ato mund t’i shihni lehtë në internet? Përgjigja është kjo: shumë njerëz, mes tyre koleksionistë të artit, si dhe spekulatorë të fitimit të shpejtë.

Muajin e kaluar, muzikanti dhe artisti Grimes i fitoi gjashtë milionë dollarë për 20 minuta duke shitur, siç thuhej në një titull, “artin që nuk ekziston” (në një ankand në Twitter). Në të vërtetë, arti ekziston, por jo në botën e vjetër reale. Koleksioni WarNymph Vol. 1 përbëhet nga 10 vepra, kryesisht pjesë të shkurtra të videove që Grimesi i kishte bërë me vëllain e saj.

“No Longer Dead” nga Jonathan Monaghan

“Ajo që po shohim është një pikë kthese për artin digjital”, thotë Rob Anders, CEO i Niio-s, një platformë që ka më shumë se 15 mijë vepra të artit digjital. Teksa bisedojmë përmes Zoom-it, prapa tij shihet vepra “No Longer Dead” nga Jonathan Monaghan, ku njëbrirëshi shfaqet në një peizazh surreal. “Pandemia na ka ndihmuar”, thotë Anders. Jemi mbërthyer nga brendësia, duke i parë ekranet tona si vendin e vetëm ku mund të shihet arti digjital. Dhe, ky gjithashtu është vendi ku – falë risive kriptografike që e bënë të mundur monedhën digjitale Bitcoin – arti gjithnjë e më shumë po blihet dhe shitet.

Piktori i Edinburgut, Trevor Jones, së fundmi i fitoi më shumë se 3.2 milionë dollarë duke shitur 4,157 botime digjitale të “Bitcoin Angel”-it, në një ankand interneti që përfundoi për shtatë minuta. Çfarë morën blerësit me paratë e tyre? “Njerëzit po e blejnë një token që, në mënyrë abstrakte, përfaqëson pronësinë e një imazhi digjital”, shpjegon Jones. “Pra, kjo është hera e parë në histori kur artistët mund të krijojnë dhe materializojnë imazhet digjitale, si Jpeg”.

“Bitcoin Angel” nga Trevor Jones

Në fakt, “tokeni” mund të jetë term shumë konkret për atë që është thjesht blerje në një “ledger” online (libër llogarie). Por, është një tjetër mundësi këtu: do të digjen njerëzit me shumë para e pak njohuri. Nëse është kështu, do të ngjajnë me koleksionistët që Banksy i shfaq në grafikën “Morons”, ku një “pikturë” shfaqet në ankand me ram luksoz, e në të janë fjalët: “Nuk mund të besoj se ju moronët po e blini këtë copë muti”. Jones kundërshton. Ai mendon se tregu i kripto-artit ka të ardhme të ndritur. Kohët e fundit ai shkroi në Twitter: “Do ta them këtë vetëm një herë dhe pastaj e mbylla gojën. Mos e shitni botimin #BitcoinAngel. Nëse e shisni tani, thjesht nuk fitoni. Nuk e shihni të ardhmen. Mbajeni për gjashtë muaj dhe më falënderoni më vonë. Mos ngurroni ta ruani këtë cicërimë timen”.

Edhe ankandet e shkollës së vjetër të artit po e shohin vlerën e këtij tregu të ri. Këtë javë, Christie’s do ta ketë ankandin e parë të një vepre digjitale – një kolazh i madh i artistit Beeple (emri i vërtetë Mike Winkelmann) i quajtur “Everydays: The First 5000 Days”. Beeple nisi ta bënte këtë kolazh që më 1 maj 2007, duke vizatuar një vepër të re dhe duke e postuar në Instagram për çdo ditë për 13 vjetët e ardhshëm. Krijimi i tij u përshkrua nga një gazetar si “si një karikaturë politike e vendosur në një video-lojë distopike”. Winkelmann i tha “New York Times”-it: “Bota tradicionale e artit është si: ‘Kush është ky djalosh’? Por, unë i kam 1.8 milionë ndjekës në Instagram. Christie’s e po e konfirmon vlefshmërinë time. Bota e artit figurativ më në fund ka filluar të njohë artistët digjitalë”.

Vepra digjitale nga Beeple që do të shitet nga shtëpia e ankandeve Christie’s

Beeple tashmë e ka krijuar një pasuri milionëshe për një koleksionist. Pablo Rodriguez-Fraile, që jeton në Majami, e bleu në tetor një vepër për 67 mijë dollarë: videoklipin prej 10 sekondave që përshkruante atë që duket si kufoma e zhveshur e Donald Trumpit, me tatuazhet me fjalën “Humbës”. Muajin e kaluar, Rodriguez-Fraile e shiti atë për 6.6 milionë dollarë.

Për të kuptuar atë se me çka Injective Protocoë, Grimes, Trevor Jones, Beeple dhe Christie’s janë duke u marrë, janë tri shkronjat NFT të cilat deri në javën e kaluar mendoheshin si akronim për National Film Theatre. Në fakt, fjala është për Non-Fungible Tokens (meqë është risi teknologjike, përkthimet në shqip do të përdorin më shumë termet origjinale). Të quash diçka “fungible” do të thotë se është e zëvendësueshme me diçka tjetër. Nëse do t’i ofroja Luvrit një peshqirë me Mona Lisan në këmbim të origjinalit, ata do të më udhëzojnë të shkoj tek dyqani i suvenireve. Mona Lisa origjinale është “non-fungible”. Është bartësi unik i vlerës. E, peshqirët e çajit me Mona Lisan janë shumë “fungible”.

Rob Anders shpjegon se ndonëse arti digjital ka ekzistuar që nga vitet 1960 dhe gjithnjë e më shumë po shfaqet në koleksionet dhe bienalet e mëdha, ai gjithmonë është përballur me një problem: si të krijojmë objekte “non-fungible” dhe pastaj para. “Arti digjital”, thotë ai, “është përcjellë nga dilemat për vlerën komerciale, autenticitetin, pronësinë dhe raritein”. Lufta është për të gjetur mjetet me të cilat këto vepra mund të jenë bartëse të vlerës unike. “NFT”, thotë Anders, “po e bën këtë”.

Si funksionon NFT-ja? Për t’iu përgjigjur kësaj duhet të marrim parasysh ikonën e basketbollit LeBron James dhe një mace të animuar. Muajin e kaluar, një klip i vetëm i yllit të NBA-së u shit për 208 mijë dollarë. Por, pse një videoklip që mund të shihet në Twitter ose YouTube do të vlente aq? Përgjigja është sepse ky klip përdor teknologjinë “blockchain” që ndërlidhet me kripto-monedhat si Bitcoin për të vërtetuar burimin. Për ta thënë më thjesht: kjo teknologji krijon një produkt digjital që mund të kontrollohet vetëm nga një person – për ta bërë atë, në sytë e koleksionistëve, si origjinal.

Sistemi u ideua në vitin 2008 nga shpikësi i Bitcoinit i njohur me pseudonimin Satoshi Nakamoto, i cili si  qëllim utopik kishte krijimin e një monedhe të lirë nga kontrolli i bankave. Të dhënat për të gjitha transaksionet do të shpërndahen përmes një baze të të dhënave të azhurnuar dhe të shpërndarë në një rrjet kompjuterësh të njohur si “blockchain”. Në teori mbahet nga çdo përdorues i një “ledgeri distributiv” që shmang nevojën për një autoritet qendror si palë e tretë. Fatkeqësisht, në praktikë, Bitcoini u kap nga ata që një ekonomist i quajti “sharlatanë dhe mashtrues” – domethënë spekulatorët me fuqinë e madhe kompjuterike, pasi kjo nevojitet për të krijuar Bitcoinët e rinj.

“Macja” më e shtrenjtë në botë!

Përhapja e kësaj teknologjie për produktet si videoklipe, ka krijuar tregje dhe njësi të reja ekonomike. Njëra quhet NBA Top Shots, që ka shkaktuar një fluks të vlefshëm të të ardhurave për Shoqatën Kombëtare të Basketbollit të Amerikës, duke shitur NFT të videoklipeve që shfaqin yjet LeBron James dhe Maxi Kleber. Kur është fjala te Nyan Cat – një mace e animuar që ka 185 milionë shikime në YouTube – një NFT i një gifi të maces mutante u shit për 600 mijë dollarë. E, këtë muaj, rokerët e grupit Kings of Leon e publikuan si NFT albumin e ri, “When You See Yourself”. Teksa albumi është i disponueshëm në Spotify dhe te shitësit tjerë, versionet NFT kanë diçka më shumë – përfshirë artin digjital të kopertinës dhe një version vinil, që të gjithat këto për 50 dollarë. Por, versionet NFT të lansuara të premten e kaluar, do të jenë për vetëm dy javë, duke kufizuar kështu furnizimin dhe duke rritur vlerën e tyre. Si rezultat, këto NFT do të jenë koleksione nga të cilat grupi shpreson të krijojë të ardhura përmes rishitjeve. Kjo rrjedhë e re e të ardhurave është e mirëseardhur meqë në 20 vitet e fundit muzika është zhvlerësuar. NFT pra po ofron një model tjetër të artit digjital me të cilin krijuesit paguhen siç duhet.

Ky bum ngre shumë dilema. Kryesori është ky: çfarë do të mendonte Greta Thunberg? Ashtu si Bitcoini, NFT-të nuk janë asnjanëse ndaj karbonit. Një vepër arti e shitur nga Grimesi, që kishte 303 edicione, ka prodhuar rreth 70 tone të emetimeve të dioksidit të karbonit kur është kthyer në NFT. Pastaj janë pyetjet e çuditshme, si: çfarë është arti? Është e habitshme se shumë prej NFT-ve që blihen dhe shiten për dhjetëra mijëra dollarë janë gife, meme ose videoklipe. Rob Anders pyet nëse arti i gjeneruar nga inteligjenca artificiale mund të koleksionohet dhe, nëse po, çfarë thotë kjo për artistët njerëzorë.  Shpejtësia po shtron spekulimet edhe nëse bumi i NFT-së do të pasohet nga një goditje. Anders nuk mendon kështu. “Mos harroni atë që tha Lenini: ‘Ka dekada kur asgjë nuk ndodh dhe ka javë ku ndodhin dekadat’. Kjo përshkruan shumë mirë atë se ku jemi sot”.

Lenini fliste për Revolucionin Rus. Ndoshta jemi dëshmitarë të ekuivalentit digjital të sulmit ndaj Pallatit të Dimrit, me rojën e vjetër të rrëzuar nga kripto-rebelët e kapur nga ëndrrat se bota e artit mund të ndryshojë për më mirë. Ndoshta, gjithashtu, nuk duhet të harrojmë se si u zhvillua ai revolucion. /Telegrafi/