Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një reagim pas rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke e cilësuar fitoren elektorale si plebishitare dhe një reflektim të qartë të vullnetit politik të qytetarëve.

Në komunikatën e shpërndarë për media, LVV thekson se së bashku me partnerët e saj kanë rezultuar të parët në 24 komuna të Republikës së Kosovës, dhe në çdo komunë kanë shënuar rritje të votave krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit.


“Vullneti politik i qytetarëve është i qartë, fitorja elektorale është plebishitare, referendumi demokratik kaloi,” thuhet në reagim.

Lëvizja gjithashtu ka përmendur rezultate pozitive në votën nga mërgata, duke e konsideruar atë një fitore të jashtëzakonshme dhe shenjë të mbështetjes së gjerë që ka marrë.

“Fitore e jashtëzakonshme po shënohet edhe në votën nga mërgata,” ka thënë LVV.

Në përfundim të reagimit, Lëvizja Vetëvendosje i ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e tyre dhe i ka uruar për fitoren historike të arritur në zgjedhjet e fundit.

“Ju faleminderit për mbështetjen. Urime fitorja historike!", thuhet në reagimin e LVV-së./Telegrafi/