Jehona Lushaku-Sadriu është deklaruar pas mbledhjes së Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku shumica e anëtarëve nuk e kanë pranuar dorëheqjen e Lumir Abdixhikut nga pozita e kryetarit të partisë.

Ajo ka bërë të ditur se Abdixhiku ka paraqitur dy deklarata politike, njëra që parasheh reformimin e brendshëm të LDK-së, dhe tjetra që përfshin qëndrimet e partisë ndaj zhvillimeve politike në vend, të cilat, sipas saj, janë miratuar me shumicë votash në Kuvend.


“Kryetari i LDK-së, Abdixhiku, për herë të parë e ka provuar votëbesimin si rezultat i rezultatit të zgjedhjeve dhe me shumicë votash është konfirmuar sërish si kryetar i LDK-së. Ai ka paraqitur edhe dy deklarata politike, një që parasheh reformimin e brendshëm të partisë dhe një që paraqet qëndrimet e LDK-së për zhvillimet politike në vend, dhe të dyja janë miratuar me shumicë votash në Kuvend”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu.

Ajo ka shtuar se rruga përpara është e qartë, duke theksuar se përgjegjësia për reformimin e LDK-së i takon kryetarit Abdixhiku.

“Rruga përpara është e qartë. Kryetari Abdixhiku është përgjegjës për ta reformuar LDK-në, për të ndërtuar një strukturë që do të reformojë degët, nëndegët, kryesinë dhe gjithë strukturën partiake, në mënyrë që të arrihen rezultate të tjera”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Kuvendi ka miratuar edhe një deklaratë për ristrukturimin e partisë, e cila përfshin disa parime të reja, ndër to edhe atë që persona të caktuar nuk do të mund të mbajnë dy poste njëkohësisht brenda strukturave të LDK-së.