Është kompletuar java e 13-të në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë, pas së cilës ekipet do të kenë një pauzë dyjavore për shkak të angazhimeve të përfaqësueseve në ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2026, njofton Telegrafi.

Në ndeshjen kryesore të javës, Shkëndija e Tetovës shënoi fitore të thellë ndaj Maqedonisë Gj. P. me rezultat 7-2 (3-1), në një përballje ku vendasit ishin dukshëm më të mirë dhe dominuan gjatë gjithë takimit.


Skuadra mysafire udhëtoi në Tetovë me një përbërje të re, e cila përfshinte plot nëntë lojtarë të rinj nga akademia, ndërsa vetëm Kabarkas dhe Estupinjan ishin pjesë e ekipit të parë.

Që nga minutat e para, Shkëndija e kontrolloi plotësisht lojën. Atdhe Mazari hapi serinë e golave pas një aksioni individual, ndërsa Florent Ramadani e dyfishoi epërsinë. Mysafirët arritën të ngushtonin në 2-1 përmes golit debutues në Ligën e parët të 17 vjeçarit, Aljman Etemit, por Shkëndija reagoi menjëherë me golin e Anes Meliqit për 3-1.

Në pjesën e dytë, tetovarët nuk e ndalën ritmin: Mazari shënoi përsëri, ndërsa Fiton Ademi, Egzon Belica dhe Liridon Latifi vulosën rezultatin e thellë 7-2. Një gol tjetër debutues në kategorinë më të mirë shënoi edhe 18 vjeçari Omer Sulejmani i Makedonija Gj.P.

Në ndeshjen tjetër të javës, Sileksi i dha fund serisë prej dy ndeshjeve pa fitore, duke triumfuar bindshëm 5-1 ndaj Shkupit. Me një paraqitje të shkëlqyer të Martin Mirçevskit dhe dy golave të Aliqit, vendasit siguruan tri pikë të rëndësishme që i forcuan në pozitën e katërt me 25 pikë, vetëm dy më pak se Shkëndija. Në krye të tabelës vazhdojnë të jetë Vardari me 33 pikë, një më shumë se Struga.

Standings provided by Sofascore

Ndërkohë, Shkupi mbetet i fundit me vetëm një pikë të fituar deri më tani, duke u përballur me një periudhë shumë të vështirë në elitën e futbollit vendor.

Pas pauzës për ndeshjet ndërkombëtare, kampionati do të rinisë me duelet interesante Sileksi – Arsimi dhe Shkupi – Shkëndija. /Telegrafi/

telegrafi sport app