LAJMI I FUNDIT:

Luftoi kundër Serbisë në Slloveni e Kosovë, Musa Gjakova bën dallimin e dy luftrave

Luftoi kundër Serbisë në Slloveni e Kosovë, Musa Gjakova bën dallimin e dy luftrave

Në emisionin “Personale” me Krenare Vokshi-Shala në RTV Dukagjini i ftuar ka qenë ish-eprori i UÇK-së Musa Gjakova.

Gjakova thotë se qysh në vitet e 90-ta kishte një përgatitje që në Kosovë të ketë luftë por sipas tij kjo u shty për një kohë.


Me përfundimin e akademisë, Musa Gjakova ishte në detyrën e togerit në qytetin e Celjes në Slloveni.

Ai thotë se eprorët shqiptarë kishin një përgjegjësi kyçe në lirimin e kazermave në luftën e Sllovenisë.

“Lirimi i kazermave ishte një lehtësim i madh për Sllovenët. Në Celje ishim dy eprorë dhe rreth 300 ushtarë shqiptarë”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Gjakova thotë se kishte një organizim në fshehtësi edhe në mesin e shqiptarëve për t’u përgatitur për një ballafaqim të mundshëm edhe në Kosovë.

Ushtaraku thotë se megjithatë ishte vendim i mirë edhe nga Rugova që Kosova të mos përfshihej në luftë në vitin 1990 pasi sipas tij nuk kishte një mobilizim qytetarë dhe humbjet e jetëve do të ishin shumë më të mëdha se që kanë qenë në vitin 1999.

Gjakova thotë se në momentin e ngjarjeve te Familja Jashari oficerët vendosën që të rigrupohen dhe të lënë jetët dhe bizneset e tyre në Evropë dhe të ktheheshin në Kosovë për të luftuar.

Ai thotë se me të kthyer në Tiranë si ushtarakë të shkolluar që ishin nuk kishin tjetër ku të paraqiteshin pos te Ahmet Krasniqi.

“Nuk kishte asgjë të keqe as akronimi FARK. Ndasia e asaj kohe ishte e pakuptueshme”.

Gjakova ka bërë edhe dallimin mes luftërave në Kosovë dhe Slloveni.

“Dallimi ka qenë shumë i madh. Lufta sllovene ishte e shkurtër dhe u bë përmes mbrojtjes civile që ishin të strukturuar dhe paraqitnin rrezik serioz për ish-kazermat e armatës jugosllave. Tek ne ka filluar ndryshe. Në fillim kishte një organizim të djemve të UÇK-së. Pastaj lufta e UÇK-së ishte një evolim me zhvillimin dhe mbarimin e saj”, tha ndër të tjera Musa Gjakova./Telegrafi/