“Kosovarët patën fat që vuajtja e tyre dhe liria e tyre u bënë çështje planetare mediale, çështje e kuptimit të ekzistencës së Paktit NATO, çështje e ngadhënjimit të qytetërimit ndaj barbarisë. Liria e Kosovës është vlerë kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo u falet heronjve dhe martirëve të Kosovës dhe jetëshkrimeve të personaliteteve të mëdha të Perëndimit, në mesin e të cilëve është edhe gjenerali Wesley Clark”. Telegrafi risjell shkrimin e botuar më 2002 në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”, të editorit të dikurshëm të këtij mediumi, Blerim Shala. Fjala është për një analizë që ndërlidhet me veprën “Waging Moderne War” (2002), të gjeneralit Clark.
Do të dalë që në vitin 1997 është përcaktuar fati i Kosovës.
Në janar të atij viti, Madeleine Albright bëhet sekretare e Shtetit në Administratën e dytë të presidentit të SHBA-së Bill Clinton. Në maj, Britania e Madhe fiton qeverinë e re, laburiste, me kryeministrin Tony Blair dhe sekretarin e Jashtëm, Robin Cook. Më 11 korrik të vitit 1997, në Mons, Belgjikë, në SHAPE (Supreme Allied Powers Europe), gjenerali Wesley Clark zgjedhet Komandant i Forcave të Paktit NATO (SACEUR, Supreme Allied Commander, Europe).
Albright, Blair, Cook dhe Clark do të jenë ata të cilët shtynë Perëndimin për të bërë luftën e cila perëndoi epokën e okupimit të Kosovës.
Lufta për Kosovën ishte, para së gjithash, luftë e parimeve dhe personaliteteve e jo luftë interesi.
Këtë e dëshmon më së miri libri i gjeneralit Wesley Clark “Waging Modern War”. Kur mbyllet leximi i tij, lexuesi, posaçërisht nëse ai është shqiptar i Kosovës, nuk do të mund t’i ikë konkludimit: Liria e Kosovës është mrekulli në vete.
PËRMBYSJA E MADHE NË KOSOVË
Pak kohë pas përfundimit të luftës së NATO-s për Kosovën, në Toronto, Kanada, do të mbahet takimi i Aleancës Veriatlantike në nivel ministrash të mbrojtjes, i cili para së gjithash u dedikohej mësimeve të nxjerra nga fushata 78-ditëshe e NATO-s. Njëri nga ministrat pohoi që mësimi sipëror është që “ne kurrë më nuk do të bëjmë këtë që bëmë…”. Ministri i Jashtëm i Francës, Hubert Vedrine, do të pohojë, në vijim të këtij qëndrimi, që lufta për Kosovën ishte diç e veçantë, një përjashtim nga rregulli e jo diç që dëshmon ndërrimin thelbësor të politikës perëndimore.
Në vitin 1964, teksa gjendej në West Point, akademia ushtarake më prestigjoze në botë, Clark do të diskutojë për luftën, vdekjen, Vietnamin, me shokun e gjeneratës Alex Hottell, i cili do të vritet gjashtë vjet më pas në Vietnam. Përfundimi i kësaj bisede ishte që nëse nuk ka për çka të luftojë dhe të vdesë njeriu, nuk ka edhe për çka të jetojë. Mundësia për të luftuar për atë që është e drejtë, për gjeneralin Clark është njëra nga dhuntitë më të mëdha të jetës. Ky këtë e dëshmoi me jetën e tij.
Lufta për Kosovën jo vetëm që përmbysi një rend shtetëror të mbajtur nga Beogradi për gati një shekull të tërë, falë luftërave të mëparshme ballkanike dhe botërore në të cilat Serbia u gjet në anën perëndimore të historisë, por aq më tepër kjo luftë përmbysi pothuaj të gjitha rregullat politike dhe ushtarake të cilat ishin në fuqi në Perëndim pas Luftës së Dytë Botërore. Mbase për këtë shkak, në asnjë të vetmin rast, zyrtarët perëndimorë nuk do ta quajnë luftë konfliktin e Paktit NATO me Serbinë dhe nuk do ta festojnë fitoren e cila me gjasë, do të jetë vendimtare që Ballkanit t’i hiqet mbiemri “Fuçi baroti” të cilin e kishte fituar në fillim të shekullit XX, atëherë kur nga këtej u largua Perandoria Osmane.
“Luftë moderne”, e cilëson Gjenerali Clark luftën për Kosovën. Kjo luftë u paraqit, sipas tij, si funksion i historisë dhe kulturës, si rezultat i NATO-s, i mediave, i teknologjisë.
Lufta për Kosovën, në fakt, bashkëdyzoi një mori përvojash luftarake: prej asaj të Luftës së Dytë Botërore, Luftës së Vietnamit, intervenimeve të limituara ushtarake amerikane në Panama dhe Haiti, Luftës së Gjirit, Luftës së Bosnjë-Hercegovinës deri te Lufta e Ftohtë. Të gjitha kontradiktat dhe frustrimet e mundshme që janë trashëgimi e këtyre luftërave, dolën në sipërfaqe gjatë fushatës së Paktit NATO, na tregon Gjenerali Clark në librin e tij “Waging Modern War”.
APOKALIPSA ATOMIKE DHE KATASTROFAT LOKALE
Një “vijë e kuqe” ishte tërhequr për Kosovën nga presidenti George Bush në dhjetor të vitit 1992, e cila mbeti në mbamendje si “Kërcënimi i Kërshëndellave”. Një porosi ishte dhënë, në maj të vitit 1998, nga presidenti Bill Clinton, se Perëndimi nuk do të lejojë që në Kosovë të përsëritet Bosnjë-Hercegovina. Një seri ultimatumesh i ishin bërë Slobodan Milosheviqit dhe regjimit të tij që të hiqte dorë nga krimet në Kosovë dhe të pranonte Marrëveshjen Ndërkombëtare për Kosovën, siç ishte paraqitur në Konferencën e Rambouilletit.
Megjithatë, midis këtyre zotimeve dhe gatishmërisë për t’i realizuar ato, ishte një hendek i madh. Këtë e kishte kuptuar Milosheviqi qysh në vitin 1991, kur RSFJ u shpartallua në një luftë të egër, e cila politikisht, as sot e kësaj dite nuk ka fituar epilogun e vet, sepse mbeten të pazgjidhura çështja e Kosovës dhe e Malit të Zi. Lideri serb mori vesh herët që Perëndimi u zu i befasuar me përfundimin paqësor të Luftës së Ftohtë, me dekompozimin e sistemit komunist në Lindje dhe me shpartallimin e përgjakshëm të RSFJ-së. Për decenie të tëra, Perëndimi kishte krijuar një strategji ushtarake dhe koncept politik që presupozonte kërcënimin sovjetik si thelb të kornizës perëndimore të sigurisë dhe të politikës në Evropë.
Mënjanimi i rrezikut të apokalipsës atomike bëri që Perëndimi t’i nënçmojë tragjeditë e mëdha të popujve të vegjël në Ballkan, të cilët i vuanin konsekuencat e mandatimit të Beogradit nga Perëndimi si kryeqendër sigurie në Ballkan. Gjunjëzimi i Bashkimit Sovjetik gjithsesi kishte porosinë e krijimit të një rendi të ri evropian politik dhe të sigurisë. Nuk ishin të paktë ata politikanë dhe ushtarakë evroperëndimorë që kërkonin ndërrimin rrënjësor të Paktit NATO, fuqizimin e KSBE-së (më vonë OSBE-së) dhe të Unionit Evropian, krijimin e një strukture evropiane ushtarake, forcimin e OKB-së dhe, si pasojë, largimin e SHBA-së nga pozicioni i fuqisë kryesore ushtarake evropiane.
Amerika kishte ardhur në Evropë në vijim të tri luftërave të mëdha botërore (kjo e treta ishte “Lufta e Ftohtë”), të cilat i kishte fituar dhe tani, sipas evrocentrikëve, kur Evropës Perëndimore nuk i kanosej më rreziku i Lindjes, Amerika do të duhej të tërhiqej ushtarakisht nga Evropa.
Siç do të shihet dhe përjetohet, zbrazëtia e krijuar me kërkimin e strukturave të reja politike dhe të sigurisë u mbush me varret e qindra mijëra qytetarëve të ish-RSFJ-së. Milosheviqi doli sfiduesi më i madh i Perëndimit në vitet 1991-1999. Luftërat e tij, siç do të kuptohet më vonë, shfuqizuan rolin dominues serb në rajon, i dhanë mbështetje procesit të vetëvendosjes së popujve (i cili deri atëherë gjithmonë i subordinohej parimit të sovranitetit shtetëror), diskredituan potencialin politik dhe ushtarak të Unionit Evropian, komprometuan OKB-në, krijuan një strukturë të veçantë ndërkombëtare vendimmarrëse (Grupin e Kontaktit), rigjetën vendin e Paktit NATO në sigurinë evropiane të pasluftës së ftohtë, sollën trupat e tij në Ballkan, rishfaqën SHBA-në si fuqi kryesore politike dhe ushtarake të Evropës.
FITORJA ME ZERO HUMBJE
Është thënë shpeshherë që paskrupullsia e Milosheviqit bëri të mundshëm konsensusin perëndimor kundër tij dhe në dobi të Kosovës. Ai, në të vërtetë, dha komandën për lansimin e sulmeve kundër Serbisë edhe pse e dinte fare mirë, siç del nga biseda e Clarkut me Milosheviqin pak pas përfundimit të luftës në Bosnjë, që RFJ nuk ka fare gjasa në luftë me NATO-n. Mbase Milosheviq vlerësoi që do të mund të ngadhënjente politikisht ndaj Perëndimit duke luajtur në letrën e përtëritjes së Luftës së Ftohtë, apo ka menduar që NATO kurrë nuk do të mund të ruajë unitetin e vet dhe që Washingtoni kurrë nuk do të pajtohej me ofensivën tokësore.
Lufta e NATO-s do të nisë më 24 mars, në ora 5:31 pasdite me kohë evropiane dhe do të kryhet më 10 qershor, në ora 3:36 pasdite. Në ditën e parë të saj ishin në dispozicion 366 aeroplanë të Aleancës për të goditur 51 caqe të caktuara. Në ditën e fundit ishin 900 aeroplanë në fushatë që goditnin 1000 caqe në Kosovë dhe në Serbi. Lufta u fitua pa përdorur trupat tokësore dhe Apache helikopterët, me zero humbje në radhët e NATO-s, pa lëshuar pe sa i përket koncepcionit ndërkombëtar të sigurisë për Kosovën dhe duke mos lejuar që Rusia të fitojë sektorin e saj në Kosovë. Gjenerali Clark kishte mundësi, në fund të kësaj lufte, t’i pohonte presidentit Clinton se ka përmbushur premtimin e tij të dhënë më 15 shtator 1998 në një ceremonial, kur Clinton e kishte pyetur Clarkun: “Ti do të jesh gati të përkujdesesh për kosovarët, apo jo…”. Clark ia kishte kthyer: “Po zotëri…”.
Perëndimi ka fituar në Kosovë, sepse thjeshtë nuk ka mundur të humbë, mund të mësohet nga libri i Clarkut. Po të mos lëshonte pe Milosheviqi, Perëndimi do të detyrohej të hynte në luftë totale me Serbinë, sepse nuk do t’i mbetej opsion tjetër. Humbja këtu kishte domethënien e kontestimit të Paktit NATO, të rolit amerikan, të vlerave perëndimore, të të gjitha të arriturave pas vitit 1945. Sakrifikimi i ushtarëve në ofensivën tokësore do të ishte i pashmangshëm për të evituar këtë humbje fatale të Perëndimit.
Kosovarët pra patën fat që vuajtja e tyre dhe liria e tyre u bënë çështje planetare mediale, çështje e kuptimit të ekzistencës së Paktit NATO, çështje e ngadhënjimit të qytetërimit ndaj barbarisë.
Liria jonë është vlerë kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo u falet heronjve dhe martirëve të Kosovës dhe jetëshkrimeve të personaliteteve të mëdha të Perëndimit, në mesin e të cilëve është edhe Gjenerali Wesley Clark.
Libri “Waging Modern War” është një libër i madh dhe i ndershëm, pa të cilin nuk mund të shkruhet historia e re e Kosovës. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëKush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?
ASHIK QERIBI
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”
Kanuni i Skënderbeut, vepër monumentale e kulturës sonë
Piro Milkani në një rrëfim për jetën: “E pabesueshme, por e vërtetë”
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme