Luajti të gjitha ndeshjet në Euro 2016, Lenjani flet për Shqipërinë: E nisim me fitore, kuqezinjtë befasojnë në Gjermani

Ermir Lenjani është një nga futbollistët më të rëndësishëm të Shqipërisë dekadën e fundit, pasi ka luajtur rregullisht dhe ka shkëlqyer me paraqitjet e tij.
Mbrojtësi i majtë ka dhënë kontribut të madh dhe ishte ndër më të rëndësishmit për kualifikimin e Shqipërisë në Euro 2016, kur kuqezinjtë e arritën këtë për herë të parë në histori.
Lenjani ka zhvilluar 44 ndeshje me Kombëtaren kuqezi, derisa ka realizuar edhe pesë gola dhe ka dhuruar një asistim.
Anëtari i skuadrës zvicerane Schaffhausen ishte në grumbullimin e parë të Sylvinhos, megjithatë lëndimet e shpeshta bënë që ai të mos marrë pastaj ftesë.
Mbrojtësi këmbëshpejtë ishte lojtar kyç i kuqezinjve edhe në Euro 2016 ku zhvilloi të gjitha ndeshjet, derisa në një intervistë për Telegrafin ai ka folur për atë kohë, Shqipërinë e sotshme dhe çfarë pret në Euro 2024.
Ai ka thënë se kulmi në karrierën e tij ka qenë pjesëmarrja me Shqipërinë në Euro 2016, derisa pret që kuqezinjtë të befasojnë qysh në ndeshjen e parë duke triumfuar ndaj Italisë.
Çfarë ndjenje është për ty si futbollist që ka luajtur në një Kampionat Evropian? Ermir Lenjani: Për çdo futbollist mendoj se është kulmi i karrierës. Të kualifikohesh dhe të luash për Kombëtaren në Kampionatin Evropian nuk krahasohet me asgjë. Kemi bërë paraqitje të mirë në Euro 2016, është e vërtetë. I kishim rastet shumë të mira për fitore me Zvicrën dhe kundër Francës në fund të lojës humbëm. Me një pikë do të ishim kualifikuar.
A është më e mirë Shqipëria e vitit 2016, apo kjo e vitit 2024? Ermir Lenjani: Janë dy ekipe krejtësisht të ndryshme pasi edhe futbolli ka evoluar që tetë vite. Ne ishim një Kombëtare shumë e mirë e bashkuar, por njësoj janë edhe tani. Kemi luajtur ndoshta më defensivë se Shqipëria e sotme që ka shumë cilësi përpara. Gjithsesi ajo Shqipëri nuk harrohet kurrë që ka luajtur për herë të parë një Evropian, por edhe Shqipëria e sotit është një kombëtare spektakolare.
Cili futbollist pret që do të shpërthejë te Shqipëria në Euro 2024? Ermir Lenjani: Në listën e Shqipërisë ka shumë lojtarë të mirë dhe të talentuar. Gjithsesi mendoj që ata që do të shpërthejnë në Euro 2024 janë Asani, Broja ose Bajrami që kanë kualitete të mëdha në ofensivë, pasi bëjnë aksione të mira, asistojnë, dribrlojnë e shënojnë gola.













































