Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), Slobodan Trendafilov, në konferencë për shtyp informoi se më 28 janar në orën 17:00, do të mbajnë protesë para Shtëpisë së pnëtorëve.

Trendafilov tha se është koha të luftohet për paga më të mira për punëtorët, përcjell Telegrafi Maqedoni.


"U bëjmë thirrje të gjithë punëtorëve, pagat e të cilëve nuk janë rritur, të gjithë punëtorëve që po mendojnë se si t'ia dalin mbanë në fund të këtij muaji, u bëjmë thirrje të gjithë punëtorëve që i gënjyen shefat, menaxherët, zyrtarët, ministrat etj., se do t'i rrisnin pagat, dhe nuk i rritën, të na bashkohen në rrugë", tha Trendafilov.

Sipas tij, qeveria refuzon të rrisë pagën minimale në një kohë kur 540 mijë qytetarë në Maqedoni janë të varfër.

"Ne po bëjmë thirrje për protestë sepse kufiri i varfërisë është 31,200 në Maqedoni, dhe 33 përqind e 540,000 punëtorëve jetojnë me pagë nën kufirin e varfërisë, shkojnë në punë dhe janë të varfër. Meqenëse ata që nuk duan të bien dakord në emër të punëtorëve dhe nuk duan të rrisin pagat e punëtorëve, besojnë se duhet t'i mbajnë punëtorët në gjendje urie dhe pengjesh në mënyrë që ata të jenë të bindur dhe të nënshtruar ndaj tyre", tha kryetari i LSM-së.

Trendafilov kërkoi mbështetjen e të gjithë punëtorëve, duke shtuar se duke qëndruar në shtëpi, mbështetet politika e pagave të ulëta, të ardhurave të mjerueshme dhe një jete të vështirë pune.

Nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, Trendafilov paralajmëroi mbledhjen e 10,000 nënshkrimeve, gjë që do t’i bënte ata propozues të autorizuar të ligjeve dhe do të kërkonin ulje të pagave të zyrtarëve shtetëror me 78 përqind dhe rritje të pagave të punëtorëve në 600 euro./Telegrafi/