Lirohen hapësirat publike në veri, Drejtoria e Inspeksionit largon vasot me pisha tek sheshi "Car Llazar"

Gjatë ditës së sotme, Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Mitrovicës Veriore ka larguar vasot me pisha të vendosura tek sheshi “Car Llazar”.
Ky veprim është kundërshtuar nga lideri i “Demokracisë Serbe”, Aleksandar Arsenijeviq, duke pyetur nëse Drejtoria e Inspeksionit ka ndonjë vendim për largimin e këtyre vasove, shkruan Telegrafi.
Në anën tjetër, Visar Syla, shefi i kabinetit të kryetarit të kësaj komune, Erden Atiq, për Telegrafin ka thënë se po bëhet lirimi i hapësirave publike.
“Qëllimi i largimit të këtyre vasove është lirimi i hapësirave publike dhe krijimi i qarkullimit më të lehtë për qytetarët”, ka thënë shkurtimisht Syla.
Kujtojmë që para tre javësh, drejtoria e Inspeksionit në këtë komunë përmes disa kontrolleve rutinore ka identifikuar disa biznese të gastronomisë që veprojnë pa siguruar kushtet elementare higjienike.
Në disa prej këtyre lokacioneve është bërë asgjësimi i produkteve ushqimore për shkak të afateve të skaduara si dhe në mungesë të dokumentacionit për prejardhjen e produkteve ushqimore.
Ndërsa, para një jave janë zhvilluar inspektimet sanitare në lokale të ndryshme në Mitrovicën Veriore.
Sipas njoftimit të Komunës, kjo është bërë për të siguruar kushtet optimale higjeno-sanitare.
Gjatë këtyre kontrolleve është vlerësuar niveli i pastërtisë, respektimi i rregullave shëndetësore dhe kushtet e përgjithshme të punës. /Telegrafi/















































