LAJMI I FUNDIT:

Lirjon Abdullahu, talenti i ri që po shkruan histori me Kosovën – ai flet për emocionet e tubimit të fundit me Dardanët

Lirjon Abdullahu, talenti i ri që po shkruan histori me Kosovën – ai flet për emocionet e tubimit të fundit me Dardanët

Në moshën vetëm 16-vjeçare, Lirjon Abdullahu ka arritur një moment të rëndësishëm në karrierën e tij. Për herë të parë, lojtari i talentuar i Stuttgarter Kickers është grumbulluar me ekipin senior të Kosovës, duke u bërë pjesë e “Dardanëve” në ndeshjet vendimtare të play-offit të Ligës së Kombeve të UEFA-s kundër Islandës.

Kosova triumfoi me sukses në dy takimet, duke siguruar kalimin në Ligën B. Për Lirjon Abduallahun, kjo ishte një përvojë e paharrueshme.

“Nuk mund ta besoja kur mora ftesën. U befasova dhe njëkohësisht ndjeva krenari kur e lexova,” ka thënë ai për faqen zyrtare të klubit gjerman. 


Abdullahu ishte në listën e lojtarëve për dy ndeshjet ndaj Islandës, por vetëm në ndeshjen e dytë në Murcia të Spanjës u përfshi në listën zyrtare. Kosova triumfoi 3-1, në një fitore historike. 

“Kemi qëndruar nëntë ditë bashkë si ekip. Ishte thjesht e pabesueshme që ulesha në tavolinë për të ngrënë me lojtarët e Kosovës. Stërvitja ishte në një nivel shumë të lartë, por dhashë gjithçka dhe arrita të tërheq vëmendjen”, ka treguar Abdullahu. 

I rregullt në ekipin e Kosovës U17, Abdullahu ka shënuar katër gola në tri ndeshje për këtë grupmoshë. Ai tregon se është pritur ngrohtë nga bashkëlojtarët te Kosova. 

“I gjithë ekipi më priti shumë mirë. Të gjithë më mbështetën dhe më ndihmonin sa herë që kisha nevojë për diçka”, ka theksuar i riu. 

Në edicionin aktual me fanellën e Stuttgarter Kickers, sulmuesi i ri ka shënuar 11 gola në 16 ndeshje në Ligën e të rinjve U19 dhe U17. 

Abdullahu e sheh ftesën me Kosovën si një motiv shtesë për të përmirësuar më tej lojën e tij:  “Kërkesat janë shumë të larta në këtë nivel dhe e kupton menjëherë se ku duhet të përmirësohesh. Duhet të jesh i gatshëm për të vrapuar dhe për të mos u dorëzuar. Por gjithashtu kam kuptuar se stërvitja intensive ia vlen”, ka përfunduar Abdullahu. 

Megjithëse ende nuk ka debutuar, Abdullahu mund të bëhet lojtari më i ri që ka luajtur ndonjëherë për ekipin A të Kosovës, duke konfirmuar potencialin e tij të jashtëzakonshëm. /Telegrafi/