Lirim Kastrati rrëfen rrugëtimin unik në “Arena e Yjeve”: Nga Trigoria te Kosova, mes legjendave dhe sfidave personale

Në episodin e fundit të emisionit “Arena e Yjeve”, mysafir ishte mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Lirim Kastrati, i cili ndau rrëfime ekskluzive nga karriera e tij mbresëlënëse që nga ditët në akademinë e Romës, e deri te përfaqësimi i Kosovës dhe sfidat në arenën ndërkombëtare.
Kastrati përshkroi përvojën e tij si pjesë e akademisë së famshme ‘Trigoria’ në Itali, ku theksoi se përveç talentit në fushë, kërkohej edhe përkushtim në shkollim dhe disiplinë jashtë saj. “Duhej të ishe futbollist dhe nxënës shembullor. Nuk mjaftonte vetëm topi”, tha ai.
Për të, takimi i parë me Francesco Tottin dhe Daniele De Rossin ishte si një ëndërr. “Kur Totti më thirri në emër, nuk po më besohej. U ndjeva menjëherë i pranuar”, kujton Kastrati, i cili kaloi disa javë me ekipin e parë të Romës dhe kishte bashkëlojtarë yje si Salah, Nainggolan dhe Alisson Becker.
Megjithatë, rruga drejt suksesit nuk ishte pa pengesa. Ai zbuloi se si një transferim i mundshëm te Bologna u bllokua për arsye personale nga trajneri Mihajlovic, për të cilin drejtues të klubit i kishin thënë hapur: "Ai e di nga vini ju të dy dhe nuk të do".
Një tjetër moment kritik në karrierën e tij ishte kur pandemia COVID-19 i ndërpreu një marrëveshje të sigurt për të kaluar në Angli, ndërsa më vonë pati një tjetër rast të humbur për transferim në Bundesliga për shkak të rrethanave jashtë kontrollit të tij.
Kastrati foli edhe për golat e karrierës, duke përmendur një nga më të bukurit që e futi në historinë e klubit të madh hungarez. Ai ndau emocionet e një asisti të paharruar me fanellën e Kosovës, dhe tregoi për eksperiencën e tanishme në Poloni, ku tashmë po këshillon edhe Dion Gallapenin për hapat e parë te Widzew Lodz.
Ky episod i “Arena e Yjeve” ofroi një portret të plotë të Lirim Kastratit: një lojtar i përkushtuar, që ka kaluar përmes akademive më të mëdha evropiane, është përballur me sfida të rënda personale dhe profesionale, por gjithmonë ka qëndruar besnik pasionit për futbollin dhe krenarisë për Kosovën.
Këtë podcast mund ta ndiqni në TV Dukagjini çdo të shtune nga ora 17:10, ndërsa nuk do të ishte i mundur pa përkrahjen e sponsorit tonë Golden Eagle Energy Drink. /Telegrafi/


















































