Limaj: Zgjedhjet të shpallen më 21 dhjetor, aty ku është Nisma do të jetë kryeministri i ardhshëm

Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate, ka komentuar vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës pas dështimit për formimin e qeverisë nga mandatari Glauk Konjufca.
Limaj ka vlerësuar se ky është një lajm i keq për Kosovën.
“Këto forca politike kanë treguar se nuk kanë kapacitet dhe pjekuri politike për të ndërmarrë marrëveshje për të përmbushur vullnetin e qytetarëve”, ka thënë ai.
Sipas Limajt, shpërndarja e parlamentit reflekton paaftësi, papjekuri dhe mungesë njohurish mbi mënyrën se si ndërtohet shteti.
Ai shprehu shpresën që qytetarët, në zgjedhjet e ardhshme, do të kërkojnë llogari nga përgjegjësit kryesorë për mosformimin e institucioneve.
“Megjithatë, përpjekjet që kemi bërë, Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja”, tha Limaj, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes dhe përgjegjësisë qytetare në procesin zgjedhor.
Ai ka shtuar se Nisma do të shkojë drejt zgjedhjeve, qoftë përmes një koalicioni me alternativë serioze, qoftë edhe vetë.
“Aty ku është Nisma do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës. Data më e mirë është 21 dhjetor dhe presim që në këtë datë të shpallen zgjedhjet”, ka thënë Limaj. /Telegrafi/


































