Kosova do të nisë zbatimin e rreptë të ligjeve për automjetet e regjistruara jashtë vendit dhe për shtetasit e huaj.

Vendimi synon të parandalojë përdorimin e veturave me targa të huaja në Kosovë dhe qytetarët që jetojnë në zona kufitare kanë frikë se do të përballen me vështirësi.


“Unë për shembull, hyj-dal brenda ditës, njëherë, dy herë”, tha një qytetar.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme thonë se ligjet kanë qenë fuqi edhe më herët dhe se zbatimi i tyre është në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Jeta Tela, shefe e kabinetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, tha për RTK se këto nuk janë dy ligjet e reja.

“Do të thotë edhe ligji për huajt dhe për ligji për automjetet janë ligje që kanë hyrë në fuqi shumë më herët”, tha ajo.

Edhe Qëndrim Bytyqi, Drejtor i Zyrës Ligjore në Ministrinë e Punëve të Brendshme, thotë se Ligji për automjetet parashikon që shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë territorit dhe që posedojnë një veturë që është e regjistruar në shtetin e huaj, kanë drejtë të qarkullojnë Kosovë deri në tre muaj.

“Po kjo nuk i ndalon të njëjtit që pas daljes nga territorit i Kosovës të kthehen prapë, pra kufizimet vlejnë për një periudhë tre mujore që është e pandërprerë, por që nuk kufizohet që ata që kanë vizita më të shpeshta atë mund të hynë prapë me atë veturë në territorin e Kosovës”, tha ai.

Ndërkohë Ragmi Mustafi, ish-kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës dhe këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë, vlerëson se qytetarët nuk kanë arsye të shqetësohen.

“Qeveria e Kosovës vazhdimisht është në komunikim intensiv për gjitha ato çështje që prekin edhe shqiptarët e Luginës e Preshevës dhe sigurisht edhe për këtë çështje, andaj është edhe kjo hapësira informuese, andaj i bëj ftesë edhe këtë radhë gjitha qytetarëve shqiptarë të Luginës e Preshevës që janë në Kosovë që të fillojnë të rregullojnë dokumentet”, tha ai.

E banorët, megjithatë, kanë dilemat e tyre. Ndërsa institucionet sigurojnë se nuk do të ketë pengesa, banorët e zonave ndërkufitare mbeten në pritje të sqarimeve më të qarta për ndikimin konkret këtij vendimi në jetën e tyre të përditshme./RTK