Një ligjëratë mbi Gjykatën Speciale e cila është mbajtur të enjten në ambientet e Shkollës së Mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë ka shkaktuar reagime të ndryshme nga institucione dhe organizata.

Nga organizata YIHR KS kanë dhënë sqarime se sesioni informues (ligjëratë) i cili është mbajtur para nxënësve të shkollës “Xhevdet Doda” është realizuar me lejen e institucionit arsimor.


Sipas tyre, sesione të tilla mbahen që nga viti 2018, me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës, në bashkëpunim me përfaqësues të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

“Këto sesione janë pjesë e programit tonë për drejtësi tranzicionale dhe ballafaqim me të kaluarën. Gjatë sesionit është prezantuar informacion bazik dhe publik mbi Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke përfshirë mandatin dhe kompetencat e tyre, si institucion i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu siç thuhet në njoftim YIHR KS, prej më shumë se 20 vitesh nga themelimi i saj, ka zhvilluar aktivitete të vazhdueshme me fokus në të drejtat e njeriut, ballafaqimin me të kaluarën dhe fuqizimin e të rinjve dhe të rejave në Kosovë.

“Sesione të tilla informuese janë pjesë e misionit afatgjatë të YIHR KS për të kontribuar në promovimin e drejtësisë tranzicionale dhe ne do të vazhdojmë me punën dhe aktivizmin tonë në këtë fushë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Ndryshe, drejtuesit e shkollës së mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë, kanë reaguar publikisht ndaj, siç thuhet, disa informacioneve të pasakta që po qarkullojnë në opinion, duke sqaruar se në ambientet e shkollës nuk është mbajtur asnjë ligjëratë nga zyrtarë apo gjykatës të Gjykatës Speciale.

Sipas reagimit, ligjërata në fjalë është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), një organizatë e njohur për aktivitetet e saj edukative në shkolla të mesme dhe universitete, me fokus në edukimin juridik dhe qytetar të të rinjve.

Qëllimi i ligjëratës ka qenë informimi i nxënësve mbi sistemin e drejtësisë, llojet e gjykatave dhe mënyrën e funksionimit të tyre, përfshirë edhe gjykatën e Kosovës që funksionon në Hagë, në kuadër të një qasjeje të përgjithshme, neutrale dhe edukative.

Në reagim sqarohet se Drejtoria Komunale e Arsimit nuk ka qenë e përfshirë në dhënien e pëlqimit për mbajtjen e kësaj ligjërate, ndërsa autorizimi është dhënë nga Këshilli Drejtues i Shkollës (KDSH). /Telegrafi/