Reagime ndaj vdekjes së Papa Françeskut po vijnë nga të gjitha anët dhe zyrtarë të lartë nga shumë vende pajtohen se "Papa i popullit" frymëzoi besimtarët dhe jobesimtarët me mënyrën e tij të jetesës, shërbimit dhe dhembshurisë në një përpjekje për të krijuar një botë më të drejtë.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se Papa Françesku do të mbahet mend për përpjekjet e tij për të ndërtuar një "botë më të drejtë, paqësore dhe më të dhembshur".


"Sot bota mban zi për vdekjen e Papa Françeskut", tha von der Leyen menjëherë pasi Vatikani njoftoi vdekjen e tij.

"Ai frymëzoi miliona, shumë përtej Kishës Katolike, me përulësinë dhe dashurinë e tij të pastër”, vazhdoi ajo.

"Mendimet e mia janë me të gjithë ata që e ndiejnë këtë humbje të thellë. Le të gjejnë ngushëllim në idenë se trashëgimia e Papës do të vazhdojë të na udhëheqë drejt një bote më të drejtë, paqësore dhe më dhembshur."

Roberta Metsola, presidente e Parlamentit Evropian, tha se "buzëqeshja e Françeskut ka fituar zemrat e miliona njerëzve në mbarë botën".

"Papa i Popullit do të mbahet mend për dashurinë e tij për jetën, shpresën për paqen, dhembshurinë për barazinë dhe drejtësinë sociale. U preftë në paqe", tha Metsola.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se Papa Françesku ka qenë gjithmonë në anën e më të pambrojturve dhe më të brishtëve dhe se këtë e ka bërë me shumë përulësi.

“Në këtë kohë lufte dhe brutaliteti, ai kishte një ndjenjë për tjetrin, më të brishtën”, tha Macron.

Kancelari i ardhshëm gjerman Friedrich Merz tha se Papa Françesku do të mbahet mend për "përkushtimin e tij të palodhur ndaj më të dobëtve në shoqëri".

"Vdekja e Papa Françeskut më mbush me trishtim të madh", tha Merz.

Mesazhe nga Evropa dhe Lindja e Mesme

“Vdekja e Papa Françeskut na trishton thellësisht, sepse një njeri i madh na ka lënë”, tha kryeministrja italiane Giorgia Meloni.

“Isha e privilegjuar të shijoja miqësinë e tij, këshillat dhe mësimet e tij, të cilat kurrë nuk dështuan edhe në kohë sprovash dhe vuajtjesh”, tha ajo në një deklaratë të lëshuar nga zyra e saj.

Edhe kryeministri spanjoll Pedro Sánchez shprehu trishtimin e tij për vdekjen e Papa Françeskut, duke vlerësuar angazhimin e tij për "paqen, drejtësinë sociale dhe më të cenuarit".

“Ai la një trashëgimi të thellë. U preftë në paqe", shtoi ai për papën argjentinas, i cili vdiq të hënën në moshën 88-vjeçare.

Presidenti izraelit Isaac Herzog tha se Papa Françesku ishte "një njeri me besim të thellë dhe dhembshuri të pafund".

“Ai me të drejtë i kushtoi rëndësi të madhe forcimit të lidhjeve me botën hebraike dhe promovimit të dialogut ndërfetar si një rrugë për mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë”, tha Isaac Herzog.

“Papa Françesku ishte në çdo mënyrë një njeri i popullit”, tha kryeministri holandez Dick Schoof.

"Komuniteti global katolik i jep lamtumirën një udhëheqësi që njohu dhe tërhoqi vëmendjen ndaj problemeve urgjente të kohës sonë. Me stilin e tij të jetës së matur, veprimet e shërbimit dhe dhembshurisë, Papa Françesku ishte një model për shumë njerëz - si katolikë ashtu edhe jokatolikë. Ne e kujtojmë atë me shumë respekt", shtoi Schoof.

Presidenti polak Andrzej Duda tha se Papa ishte një apostull i madh i mëshirës, ​​tek i cili pa përgjigjen ndaj sfidave të botës moderne.

"Në shërbesën e tij, ai udhëhiqej nga përulësia dhe thjeshtësia", tha Duda.

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vanc tha se "zemra e tij është me miliona të krishterë në mbarë botën që e donin atë".

"Isha i lumtur që e pashë dje, edhe pse ai ishte padyshim shumë i sëmurë. Por do ta kujtoj gjithmonë për ... predikimin që ai mbajti në ditët e para të COVID-19. Ishte vërtet e bukur."

Kryeministri indian Narendra Modi tha se Papa Françesku do të mbahet mend si "një fanar dhembshurie, përulësie dhe guximi shpirtëror për miliona njerëz në mbarë botën".

"Ai u shërbeu me zell të varfërve dhe të shtypurve. Për ata që vuajtën, ai frymëzoi një frymë shprese. I kujtoj me dashuri takimet e mia me të dhe u frymëzova shumë nga angazhimi i tij për zhvillim gjithëpërfshirës. Dashuria e tij për njerëzit e Indisë do të jetë gjithmonë në zemrat tona."

Në lidhje me ndarjen nga jeta të Papa Françeskut ka reaguar edhe kancelari gjerman Olaf Scholz.

"Bota ka humbur një avokat për të dobëtit, një person pajtues dhe zemërmirë", tha Olaf Scholz në homazh për Françeskun. “E vlerësova shumë pikëpamjen e tij të qartë për sfidat me të cilat përballemi."

Kryeministri i Polonisë tha se Françesku ishte një burrë i mirë.

“Një burrë i mirë dhe i ndjeshëm”, tha Tusk.

Edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i dha lamtumirën Papa Françeskut.

"Ai dinte të jepte shpresë, të lehtësonte vuajtjet me lutje dhe të inkurajonte unitetin", tha Zelensky.

Ai shtoi se Papa Françesku lutej rregullisht për paqen në Ukrainë dhe për popullin ukrainas.

"Ne vajtojmë së bashku me katolikët dhe të gjithë të krishterët që gjetën mbështetje shpirtërore tek Papa Françesku. Lavdi e përjetshme atij!" /Telegrafi/