LAJMI I FUNDIT:

“Liberalizimi i vizave, në fund të vitit”

“Liberalizimi i vizave, në fund të vitit”

Zëvendësministri i integrimeve evropiane, Ramadan Ilazi, i tha Radios Evropa e Lirë se liberalizimi i vizave për Kosovën ka shumë gjasa të përmbyllet deri në fund të vitit, pasi të jenë përmbushur kërkesat e Komisionit Evropian për lëvizje të lirë.

Ilazi tha se zhvillimet brenda BE-së brenda javëve të ardhshme mund të ndikojnë në ngadalësimin e marrjes së vendimit për liberalizim të vizave për shtetasit e Kosovës.

“Është bindja jonë e thellë që Kosova do të marrë liberalizmin e vizave deri në fund të vitit, kuptohet, përveç nëse do të ketë ndonjë surprizë të paparashikuar, ku debati rreth zonës Schengen që është duke u zhvilluar në BE të merr një kahe tjetër. Mos te harrojmë që gjatë qershorit kemi zhvillime të tjera të rëndësishme, siç është referendumi për Britaninë e Madhe, për fatin e këtij shteti në raport me Bashkimin Evropian, do të mbetet apo do të largohet nga Bashkimi Evropian. Të gjitha këto zhvillime mund të kenë ndonjë efekt negativ në proces, por e jona është që të sigurohemi që asnjë obligim që ne e kemi në këtë proces të mos e injorojmë dhe anashkalojmë dhe të sigurohemi që e kemi plotësuar”, ka thënë ai.