Tension i lartë tek Parku Olimpik teksa po numërohen votat e Diasporës.

Kjo pasi, qarku i Lezhës është ndarë me një grusht votash midis dy partive të mëdha, duke shkuar në foto-finish.


Kjo duket se ndezi gjakrat dhe pas debatit të mëhershëm mes përfaqësuesve të PD, Jorida Tabaku e Gjin Gjoni me kryekomisionerin Ilirjan Celibashi për 50 vota që pretendohej prej tyre se dolën tepër në kutitë e fundit, pati edhe tone të ngritura mes përfaqësuesve të dy partive.

Në një moment, ka qenë drejtuesi i PS për Diasporën, Taulant Balla, i cili ka kontestuar një fletë votimi në stendën e qarkut Lezhë, çka ka ndezur reagimin e demokratëve në sallë, duke shkaktuar tension deri në kufijtë e përplasjes fizike.

Në fund ishin të djathtët ata që gëzuan, teksa numërimi i fletëve të fundit të Diasporës u prit me duartrokitje nga ligjvënësit dhe vëzhguesit e PD në sallë.

Gjithsesi PD heziton të festojë plotësisht, edhe pse numrat paraprakë ia sigurojnë mandatin e katërt në këtë qark./A2 CNN