LAJMI I FUNDIT:

Lëvizja Besa: “Rasti i Kumanovës” të trajtohet nga Prokuroria Speciale

Lëvizja Besa: “Rasti i Kumanovës” të trajtohet nga Prokuroria Speciale

Lëvizja Besa e mbështet veprimin e djeshëm të braktisjes së seancës gjyqësore të avokatëve mbrojtës në rastin e Kumanovës dhe njëkohësisht i inkurajon ata që të mos heqin dorë nga kërkesa për të siguruar kushte elementare për gjykim të drejtë, njofton Telegrafi.

Mospërmbushja e kushteve elementare për gjykim nga ana e gjykatës, si edhe presioni që u bëhet avokatëve me shqiptimin e dënimit për lëshim të seancës, dëshmojnë për faktin se në Republikën e Maqedonisë sistemi gjyqësor është skajshmërisht i politizuar dhe është thellë i kapur nga partitë në pushtet.


Për këtë arsye, Lëvizja Besa vlerëson se edhe “Rasti i Kumanovës” duhet të kalojë në duart e Prokurores Speciale, sepse ajo që ndodhi deri tani gjatë këtij procesi gjyqësor na ka bindur se ky gjykim do të jetë vetëm politik dhe jo i drejtë.

Me këtë rast Besa edhe një herë konstaton se gjendja në sferën e gjyqësisë duhet të pësojë ndryshime rrënjësore në drejtim të funksionimit të gjykatave në shërbim të drejtësisë në vend e të mos bëhen ato mjet i politikanëve për interesat e tyre në politika ditore. /Telegrafi/