LAJMI I FUNDIT:

Letër e hapur, politikanëve të Kosovës: Në luftën më të rëndë që bota ka, ne duhet të jemi të bashkuar

Letër e hapur, politikanëve të Kosovës: Në luftën më të rëndë që bota ka, ne duhet të jemi të bashkuar

Të nderuar udhëheqës politikë,

Sot shënojmë 24 Marsin, ditën kur të gjithë ishim të bashkuar dhe kur NATO-ja i bombardoi caqet e Ushtrisë dhe Policisë serbe. Të gjithë ishim një, sepse kishim një hall: çlirimin nga okupatori serb. Tashti armik e kemi virusin COVID-19, ndaj duhet sërish të bëhemi një. Sikur që kaloi ajo periudhë kur e fituam armikun, nëse edhe këtë herë bashkohemi – do të fitojmë prapë me sa më pak dëme. Sepse, jo vetëm ne si Kosovë, por e gjithë bota po vuan nga virusi vdekjeprurës që po vret e po shkatërron njerëz, biznese dhe ekonomi të tëra.


Situata të cilën e keni krijuar, të gjithë, pa dallim (nuk dua të anoj politikisht kah askush, se nuk është me rëndësi kush ka faj, apo kush ka më pak faj) ka krijuar frikë dhe frustrim të dyfishtë, fillimisht nga koronavirusi e më pas edhe nga frika se si do t’ia dalin ekonomikisht, a do të ketë furnizime të mjaftueshme me ushqim, si do t’i paguajnë faturat… Kam shokë që janë simpatizantë të secilës nga partitë dhe, pa dallim partie, mendimi është i njëjtë tek të gjithë.

Popullit i duhet qartësia dhe siguria, nga të gjithë ata që i votuan – në pozitë e opozitë. Popullit i duhet që të dijë se do të parandalohet shpërndarja e koronavirusit; se do të përkrahen nga shteti me të ardhura; se bizneset ku punojnë, do t’i përkrah shteti dhe nuk do bankrotojnë; se do ketë ushqime me bollëk, pa marrë parasysh sa zgjat kjo situatë me koronavirusin; se nuk do t[ ndalet rryma, ngrohja, telefoni dhe interneti; se do të ndihmohen skamnorët, jetimët, pensionistët e të papunët; dhe se kur gjithçka të kalojë, të kthehemi në një ekonomi jo shumë të dëmtuar dhe se njerëzit do të vazhdojnë të kenë një vend pune.

E dini të gjithë që nuk merrem me politikë dhe nuk do të merrem me politikë asnjëherë. Do ta vazhdoj kontributin tim si ndërmarrës dhe folës motivues, që të kontribuoj aq sa mundem për një të ardhme më të mirë për këtë “dreq” Kosovën tonë, e këtë “dreq” popullin tonë. Mosni aman, se nuk është koha. Secili po mundoheni t’ia hidhni fajin tjetrit për krizën e krijuar, por secili keni nga pak faj këtu.

Burrni është me lëshua rrugë. Burrni është edhe me e kafshua gjuhën e me e ndalë veten. Burrni është me thanë “m’fal”. Burrni edhe më e madhe është me thanë “po ta fali”. Burrni është me thanë “t’i lëmë anash interesat, kalkulimet e inatet tona politike, derisa të kalojë rreziku i koronavirusit”. Lërini inatet politike, aman. Edhe ju e familjarët tuaj mund të jeni viktima të këtij virusi, sepse ky nuk po njeh as pozita, as statuse shoqërore, as pasuri, e as njoftësi. Keni përgjegjësi para popullit e para Zotit. Ka familje që s’kanë kulm mbi kokë e ushqim në sofër. Ka familje që s’kanë veshmbathje e ngrohje në këtë dimër që na erdhi në këtë fillim pranvere.

Politikëbërja juaj do të mund të ishte në rregull në kushte normale, por jo në një situatë ku njerëzit janë në frikë, panik, ankth e depresion, për faktin se as nuk e dinë se sa do zgjasë kjo gjendje, se a do kenë rezerva të ushqimit të mjaftueshme, se a do kenë para të mjaftueshme që të vazhdojnë edhe dy, tre, apo dhjetë muaj të tjera pa rrogë, e se a do të mund të mbajnë bizneset pa u bankrotuar.

Koronavirusi shëndetësor po menaxhohet, po koronavirusi ekonomik do të vrasë po ashtu. Shumë kompani do të bankrotojnë, e shumë të tjera nuk do të mund të këndellen ndër vite. Shumë njerëz do të largohen nga puna dhe nuk do të munden as në Perëndim të dalin, sepse edhe atje gjithçka është e bllokuar. Edhe familjarët në kurbet kanë hallet dhe shpenzimet e tyre dhe s’ka as kush t’ju dërgojë para.

Shumica e shteteve të botës kanë marr masa ekonomike që të mbajnë njerëzit të punësuar, të mbajnë bizneset e hapura dhe të jenë të përgatitura që ekonominë ta kenë sa më pak të dëmtuar kur e gjitha kjo të kalojë. Merrini me prioritet të lartë detyrën që ta sillni një plan stimulues ekonomik dhe ta mbani popullatën të punësuar që bizneset të mos bankrotojnë!

Hajde, një herë e përgjithmonë, e për herë të parë në histori t’i tregojmë edhe vetes, edhe botës. se dimë të bëhemi bashkë, se jemi të mirë edhe në “sporte” ekipore, dhe se inatin që e kemi për t’keq dimë ta përdorim edhe për të mirë. Ju lus të reflektoni e ta gjeni fajin tek vetvetja.

E dimë të gjithë se secili e keni secilin “në penal”, mirëpo meqenëse edhe futbolli ka pauzuar së paku deri me 15 maj, në gjithë ligat e Evropës, edhe juve ju lus për pak pauzë që “penalet” t’i jepni kur të fillojë prapë loja. Bëjeni për vete, për fëmijët tuaj, dhe për popullin e vendin tonë. Para luftës fajin ia kemi lënë Serbisë, po tani kujt?

Shpresoj të më kuptoni drejtë dhe të dëgjoni brengën e popullit.

Me sinqeritetin më të lartë,

Ardian Remzi Hoxha.

Në trend

Më shumë
U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

Lajme
Osmani organizoi pritje për përfaqësues të vendeve partnere të Kosovës pas takimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Osmani organizoi pritje për përfaqësues të vendeve partnere të Kosovës pas takimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Lajme
Capello zgjedh katër gjeni të futbollit, nuk e përfshin Ronaldon

Capello zgjedh katër gjeni të futbollit, nuk e përfshin Ronaldon

Ndërkombëtare
Momenti kur Osmani i thotë Vuçiqit

Momenti kur Osmani i thotë Vuçiqit "Shihi në sy dhe kërkoju falje katër viktimave të krimeve serbe"

Lajme
Fiton 300 mijë euro në javë dhe është titullar, ylli i Cityt merr vendimin përfundimtar për t'u larguar në verë

Fiton 300 mijë euro në javë dhe është titullar, ylli i Cityt merr vendimin përfundimtar për t'u larguar në verë

Premier League
Pamje të Dubait nga hapësira – ja si dukej, para dhe pas përmbytjeve

Pamje të Dubait nga hapësira – ja si dukej, para dhe pas përmbytjeve

Botë
Kalo në kategori