Leigh-Anne Pinnock shijon pushimet familjare në Turqi, ndërsa ndan reflektime për karrierën solo

Leigh-Anne Pinnock ka ndarë me ndjekësit e saj disa momente të veçanta nga pushimet familjare në Turqi, ku po relaksohet me bashkëshortin e saj, futbollistin Andre Gray, dhe dy fëmijët e tyre.
Ish-ylli i grupit Little Mix, 33 vjeçe, ka publikuar një sërë fotografish nga qëndrimi i tyre në resortin luksoz Bayou Villas Antalya, duke treguar atmosferën e ngrohtë dhe familjare që po shijojnë.
Në imazhet e postuara në Instagram, këngëtarja shfaqet me një stil veror elegant, duke ndërruar disa veshje plazhi dhe mbrëmjeje, shkruan DailyMail.
Krahas pamjeve pranë pishinës dhe buzë detit, Leigh-Anne ka ndarë edhe momente të ëmbla me bashkëshortin e saj, ku dyshja duken të lumtur dhe të lidhur ngushtë.
Gjithashtu, ajo publikoi disa fotografi të vajzave të saj, të cilat preferon t’i mbajë larg vëmendjes mediatike, por ku shihej qartë atmosfera e gëzueshme familjare.
Përveç pushimeve, Leigh-Anne ndau me fansat e saj edhe disa mendime për rrugëtimin muzikor.
Ajo pranoi se vitet si pjesë e Little Mix sollën presione dhe pritje të mëdha, të cilat shpesh ia vështirësuan shijimin e suksesit.
“Presioni është ajo që më ndaloi ta shijoja aq shumë. Sikur, kam ndjekur një rrugë tjetër tani dhe mendoj se pritjet e larta më kanë rënduar”, – u shpreh këngëtarja.
Pas ndarjes nga Warner, ajo ka nënshkruar kontratë me Virgin si artiste solo dhe së shpejti pritet të sjellë projekte të reja.
“Nuk ka kuptim të bëj muzikë nëse nuk e bëj në mënyrën time”, tha Leigh-Anne, duke theksuar se ndodhet në një periudhë të re dhe më të lirë krijuese.
Pushimet në Turqi kanë shërbyer jo vetëm si një çlodhje e merituar për këngëtaren dhe familjen e saj, por edhe si një moment reflektimi mbi rrugën personale dhe profesionale që e pret përpara. /Telegrafi/

















































