Lehtësim për qytetarët dhe mërgatën, Agjencia e Regjistrimit Civil zgjat orarin e punës

Agjencia e Regjistrimit Civil (ARC), në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka njoftuar se ka marrë vendim për zgjatjen e orarit të shërbimeve në të gjitha Qendrat për Pajisje me Dokumente, për periudhën nga 23 dhjetori 2025 deri më 15 janar 2026.
Sipas njoftimit, shërbimet do të ofrohen deri në ora 18:00, ndërsa edhe dita e shtunë, më 27 dhjetor 2025, do të jetë ditë pune me orar të zgjatur.
Ky vendim është marrë me qëllim të lehtësimit të qasjes në shërbime për qytetarët dhe bashkatdhetarët, duke pasur parasysh fluksin e shtuar gjatë festave të fundvitit dhe kthimit të bashkatdhetarëve në vendet e tyre.
Agjencia ka bërë të ditur se, në koordinim me njësitë përkatëse në nivel lokal, janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi, duke garantuar ofrimin e shërbimeve cilësore, me korrektësi dhe brenda afateve ligjore.
ARC ka ritheksuar përkushtimin e saj për ofrimin e shërbimeve sa më të qasshme dhe efikase për të gjithë qytetarët. /Telegrafi/


















































