Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ndaj mënyrës se si Vetëvendosje po tenton të përdorë institucionet e Republikës për qëllime politike. Në një komunikatë për media, LDK e ka quajtur këtë veprim “të papërgjegjshëm” dhe ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në seancën e mëngjesit të Kuvendit.

“Prej tetë muajsh, vendi mbahet në pasiguri politike nga të njëjtët që sot paraqesin si urgjencë atë që vetë e kanë zvarritur. E njëjta logjikë u pa edhe me zvarritjen 15 ditore të mandatarit pa numra, një proces i humbur që nga fillimi dhe i përdorur vetëm për propagandë. Po të kishin vullnet për krijimin e shumicës parlamentare, konsultimet do të ishin bërë me kohë dhe me të gjitha partitë,” thuhet në komunikatë.


LDK ka theksuar se agjenda e seancës së orës 11:00 përfshin çështje serioze si marrëveshje ndërkombëtare, kredi, borxhe dhe projektligje buxhetore, dhe se ata nuk do të marrin pjesë “në improvizime që shpërfillin rregulloren dhe e reduktojnë agjendën shtetërore në dekor fushate”.



Partia ka njoftuar se do të marrë pjesë vetëm në seancën e orës 14:00 për formimin e Qeverisë, duke respektuar “bindjet, vlerat dhe besimin e votuesve tanë.”

“LDK mbetet e përkushtuar ndaj rendit, ligjshmërisë dhe stabilitetit të Republikës. Nuk bëhemi pjesë e skenarëve populistë dhe të krizave të fabrikuara për interesa zgjedhore”, thuhet në reagim.

Kurse kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku i ka quajtur LVV-në "popullistë të rrëzikshëm". Ai ka shkruar se seancat e thirrura janë lojëra, intriga e kalkulime politike.

"Zvarritën tetë muaj krijim e shumicës e formimin e institucioneve. Na i humbën edhe 15 ditë të tjera me mandatar kukull që s’bënte asnjë përpjekje për minimalisht qeverisje. Nesër, në ditën e fundit, orën e fundit, afatin e fundit, paskan thirrur dy seanca për urgjencën që e shkaktojnë vet me vonesë.Pa asnjë konsultim. Pa asnjë komunikim. Pa asnjë diskutim.LDK e refuzon dhe shpërfillë këtë qasje politike. LDK e lufton me gjithë qenien e vet këtë logjikë imponimi. Me krenari, e themi se refuzimi i popullistëve është akti më i lartë patriotik sot", ka shkruar Abdixhiku.

Abdixhiku ka shtuar se nesër, nga ora 14:00 do të votojnë me bindje e krenari kundër pakicës që nuk mund të sillet si shumicë më në këtë shtet. /Telegrafi/