LAJMI I FUNDIT:

LDK kundërshton rritjen e çmimit të energjisë: Goditje e drejtpërdrejtë për qytetarët

LDK kundërshton rritjen e çmimit të energjisë: Goditje e drejtpërdrejtë për qytetarët

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 15%.

Në një komunikatë për media, LDK ka shprehur indinjatën e thellë, duke e cilësuar këtë vendim si të papranueshëm dhe dëshmi të paaftësisë qeveritare në menaxhimin e sektorit energjetik.

“Kjo është rritja e tretë e çmimeve gjatë mandatit të kësaj Qeverie, e cila ka dëshmuar mungesë të plotë të ndjeshmërisë sociale dhe politike. Në vend që të ndihmojë qytetarët, kjo qeveri po i rëndon ata me rritje të kostos së jetesës”, thuhet në reagimin e LDK-së.


Sipas LDK-së, qytetarët e Kosovës po përballen me një krizë të thelluar ekonomike, me inflacion të lartë dhe stagnim të pagave, ndërkohë që Qeveria po përdor ZRrE-në si instrument për të imponuar barrën e dështimeve të saj.

Partia opozitare i ka bërë thirrje ZRrE-së që të mos shërbejë si vegël e pushtetit dhe të mbrojë interesin e konsumatorëve.

“Kosova meriton një qeverisje kompetente dhe me vizion, jo një pushtet që e trajton popullin si barrë”, përfundon komunikata.

LDK ka paralajmëruar se do të vazhdojë të kundërshtojë këtë vendim me të gjitha mjetet demokratike në mbrojtje të qytetarëve./Telegrafi/