Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka mbajtur sot takimin e dytë publik me qytetarë, ku ka prezantuar punën njëvjeçare të qeverisjes komunale, në prani të përfaqësuesve të shoqërisë civile, kryetarëve të këshillave të fshatrave dhe lagjeve urbane, si dhe palëve të tjera të interesuara.

Gjatë takimit u prezantua raporti i punës për vitin 2025, plani i punës për vitin 2026, lista e aktiviteteve të realizuara gjatë këtij viti, si dhe raportet e veçanta të drejtorive komunale, përfshirë ecurinë e angazhimeve, investimeve, sukseseve dhe sfidave të hasura. Po ashtu, u trajtuan detyrimet dhe përgjegjësitë për periudhën në vijim.


Kryetari Latifi theksoi se Komuna e Rahovecit ka shënuar performancë të lartë në menaxhimin financiar, duke realizuar shpenzimin e 97.74 për qind të buxhetit total, ndërsa në investimet kapitale shkalla e realizimit ka arritur në 99.87 për qind. Ai bëri të ditur se në inkasimin e të hyrave është tejkaluar plani i paraparë, me një shifër rekorde prej 2,081,502.99 euro, ndërsa të hyrat e jashtëzakonshme kanë arritur vlerën 306,226.64 euro. Në total, të hyrat e komunës për vitin 2025 janë realizuar në vlerën prej 2,387,729.63 euro.

Sipas Latifit, gjatë vitit 2025 Komuna e Rahovecit është ranguar lart në vlerësimet dhe matjet e institucioneve kredibile dhe mekanizmave të pavarur monitorues, duke dëshmuar transparencë, përgjegjshmëri dhe qeverisje efikase lokale.

Në pjesën përmbyllëse të takimit, qytetarët patën mundësi të parashtrojnë pyetje, të shprehin shqetësime dhe kërkesa, si dhe të japin përgëzime për punën e ekzekutivit komunal, ndërsa sipas komunës, të gjitha komentet morën përgjigje konkrete. /Telegrafi/