Futbollisti i Shkëndijës, Liridon Latifi, u paraqit para gazetarëve në konferencën për shtyp para ndeshjes së kthimit ndaj Ludogoretsit, njofton Telegrafi.

Liridon Latifi u shpreh se skuadra është e përgatitur dhe do të japë gjithçka për të arritur rezultatin e dëshiruar.


“Ashtu siç e tha edhe trajneri më herët, favorit do të jetë Ludogoretsi. Por, ne do të bëjmë maksimumin tonë që të arrijmë rezultatin që ne e dëshirojmë. Ne kemi punuar gjatë kësaj jave për një rezultat pozitiv që shpresojmë ta arrijmë,” tha Latifi.

Sulmuesi i kuqezinjve vuri theksin te ndërprerjet si një nga armët e forta të ekipit, duke theksuar se ato janë ushtruar vazhdimisht në stërvitje. “Mendoj se ndërprerjet mund të jenë një nga pikat tona të forta, pasi i kemi ushtruar gjatë gjithë kohës. E dimë saktësisht çfarë do të bëjmë,” u shpreh ai.

Latifi gjithashtu u ndal edhe te super goli i tij në Shkup, kur me një goditje spektakolare nga distanca barazoi rezultatin në 1-1, duke i hapur rrugën fitores 2-1 të Shkëndijës. “Sa i përket gjuajtjes sime të lirë në ndeshjen e kaluar, atë e kam ushtruar që nga fëmijëria dhe normalisht nuk ishte rastësi,” përfundoi ai. /Telegrafi/

telegrafi sport app