Largimi i Salah e lë me pasoja të rënda Liverpoolin – ky vendim do t’i kushtojë klubit miliona euro

Liverpool raportohet se ka vendosur të heqë dorë nga viti i fundit i kontratës së Mohamed Salah, duke i lejuar atij të largohet si lojtar i lirë në fund të sezonit 2025/26.
Të martën, lajmi që tifozët e Liverpoolit kishin frikë u konfirmua, pasi Salah publikoi një video emocionale lamtumire në rrjetet sociale, duke njoftuar largimin e tij nga klubi.
Salah largohet nga Liverpool si një legjendë e klubit dhe golashënuesi i tretë më i mirë në historinë e tij, pas Ian Rush dhe Roger Hunt.
Në total, sulmuesi ka ndihmuar Liverpoolin të fitojë dy tituj të Ligës Premier, Ligën e Kampionëve, FA Cup dhe dy Carabao Cup, nën drejtimin e Jurgen Klopp dhe Arne Slot, duke shënuar 255 gola gjatë karrierës së tij me “Të Kuqtë”.

33-vjeçari luajti një rol kyç në triumfin e Liverpoolit në Ligën Premier 2024/25, duke realizuar 34 gola dhe 23 asistime në 52 ndeshje, çka i solli çmimin “Lojtari i Vitit” nga PFA për herë të tretë.
Megjithatë, këtë sezon forma e Salah ka rënë, me ish-lojtarin e Chelseat që ka shënuar vetëm 10 gola dhe ka dhënë 9 asistime në 34 paraqitje.
Egjiptiani pati gjithashtu një përplasje me trajnerin Arne Slot në dimrin e vitit 2025, por më pas u rikthye në skuadër.
Sipas Liverpool Echo, klubi anglez do ta lejojë lojtarin të largohet falas në qershor 2026, pavarësisht se ai ka kontratë deri në vitin 2027, pasi vetëm verën e kaluar kishte nënshkruar një zgjatje dyvjeçare.
Kjo nënkupton se Liverpooli do të heqë dorë nga një shumë e konsiderueshme transferimi, që përndryshe do ta përfitonte, si rezultat i marrëveshjes së ndërsjellë mes lojtarit dhe klubit.
Vlen të theksohet se Liverpooli kishte refuzuar më parë një ofertë prej rreth 175 milionë euro nga Al-Ittihad në verën e vitit 2023./Telegrafi/





















































