LAJMI I FUNDIT:

​Kuvendi përzgjedh disa anëtarë jo-ekzekutivë të bordit të BQK-së, votimi vazhdon javën e ardhshme

​Kuvendi përzgjedh disa anëtarë jo-ekzekutivë të bordit të BQK-së, votimi vazhdon javën e ardhshme

Kuvendi i Kosovës ka përzgjedhur sot disa nga anëtarët jo-ekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Për shkak të mungesës së kuorumit për të vazhduar me procesin e votimit, kjo seancë do të vazhdojë javën e ardhshme.

Nga paneli përzgjedhës nga BQK janë propozuar dy lista me shtatë kandidatë për dy pozita, si dhe lista me pesë kandidatë për një pozitë.

Nga lista me pesë kandidatë për një pozitë kandidatë kanë qenë Bashkim Nurboja, Bedri Peci, Butë Dedaj, Kosovare Ukshini dhe Mimoza Mustafa.

Deputeti i Vetëvendosjes Salih Zyba ka prezantuar votat për një pozitë të anëtarit jo-ekzekutiv të BQK-së.

“Në votim kanë marrë pjesë 86 deputetë. Të pavlefshme janë pesë fletëvotime. Bashkim Nurboja ka fituar 51 vota, Bedri Peci 12 vota, Butë Dedaj 11 vota, Kosovare Ukshini 2 vota, Mimoza Mustafa pesë vota. Konstatojmë se sipas këtij rezultati Bashkim Nurboja ka fituar votat e mjaftueshme”, ka njoftuar Zyba.

Ndërsa, nga lista për dy anëtarë jo-ekzekutivë të BQK-së, kandidatë kanë qenë Behgjet Brajshori, Driton Balaj, Edona Perjuci-Uka, Imrie Zeqiri, Nora Latifi-Jashari, Nuhi Ahmeti dhe Petrit Gashi.

“Në votim kanë marrë pjesë 86 deputetë. Nora Latifi-Jashari ka marrë 45 vota, ndërsa edhe tre kandidatët e tjerë do të hyjnë në raundin e dytë… Behgjet Brajshori 11 vota, Driton Balaj ka fituar 15 vota, Edona Uka 10 vota, Imrie Zeqiri 15, Nora Latifi-Jashari 45, Nuhi Ahmeti 18, Petrit Gashi tetë… Nora Latifi-Jashari kalon, ka marrë 45 vota, ndërsa Driton Balaj, Imrije Zeqiri votohet vetëm për këta dy dhe për Nuhi Ahmetin që ka marrë 18 vota”, ka njoftuar deputetja Valentina Bunjaku-Rexhepi.

Për shkak të mungesës së kuorumit për të vazhduar me procesin e votimit, kjo seancë do të vazhdohet në seancën e ardhshme.

Pikë tjetër e mbetur e rendit të ditës është edhe zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.kp/Telegrafi/