LAJMI I FUNDIT:

Kuvendi këtë javë mban dy seanca plenare

Kuvendi këtë javë mban dy seanca plenare

Kuvendi i Kosovës do të mbajë dy seanca plenare gjatë kësaj jave. Kështu u vendos në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit.

Të enjten do të mbahet seanca e re plenare, ndërsa të premten do të trajtohen pikat e papërfunduara nga seanca e kaluar.


Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se grupet parlamentare u morën vesh që në mesin e pikave, të jetë shqyrtimi në lexim të dytë të rregullores së re të Kuvendit, shqyrtimi në lexim të dytë edhe i projektligjit për financimin e partive politike, si dhe rregullimi i çmimeve të produkteve medicinale.

Nga Partia Demokratike e Kosovës deklaruan se projektligji për rregullimin e çmimeve është iniciativë e tyre.

“Si PDK kemi synuar ta rregullojmë çmimin e barnave, që qytetarët të mos paguajnë çmime të ndryshme për barnat e njëjta. Kjo iniciativë është e vitit 2019, e PDK-së. Ajo vjen sot përkundër se brenda komisioneve nuk kemi marrë mbështetjen e deputetëve të shumicës. Shpresojmë Kuvendi ta miratojë një projektligj në mënyrë që të mos rëndohet xhepi i qytetarëve. Presim që projektligji të merr mbështetjen e shumicës, është nevojë jo vetëm e atyre që çdo ditë kanë nevojë të blejnë çdo ditë, por iu ndihmon edhe kompanive farmaceutike në Kosovë”, tha deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.

Kreu i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, deklaroi se AAK-ja ka kërkuar interpelancë për ligjin e pagave dhe për ligjin për zyrtarët publikë.

Ai tha se është e pakuptimtë që pika për ligjin e pagave të shtyhet, e të mos sillet në Kuvend.

“Qeveria ka dështuar, por edhe ligji për zyrtarët publikë. Shumë agjensione kanë nisur të bëjnë rregullore të brendshme për pagat, në mungesë të ligjit. Janë mbi 3 mijë vende pune që nuk po mbushen në mungesë të veprimeve të Qeverisë”, shtoi Tahiri./Telegrafi/