Seanca në të cilën ishte paraparë që të shqyrtohet buxheti për vitin 2026 është shtyrë për të hënën në orën 10:00.

Kjo pasi partitë opozitare nuk u pajtuar që projektbuxheti të votohet pa debat.


Ata kërkuan dy e tri ditë shqyrtim të projektbuxhetit.

Në fund, kryetarja e Kuvendit thirri për konsultim shefat e grupeve parlamentare, ku pastaj njoftojë se janë dakorduar që kjo seancë të shtyhet për të hënën.

Tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, janë shprehur kundër që projekt-buxheti për vitin 2026 të votohet në procedurë të përshpejtuar.

Përfaqësuesit e tri partive parlamentare kanë argumentuar se s’ka ndonjë urgjencë që të shmangen procedurat për buxhetin, derisa më 12 shkurt është bërë zgjatja buxhetore edhe për muajin mars.

Sipas tyre, projekt-buxheti për vitin 2026 është ligji më i rëndësishëm i qeverisjes, andaj duhen disa ditë që buxheti të shqyrtohet.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, tha se deputetëve iu duhen minimumi tri ditë që të analizojnë buxhetin, i cili është një dokument me 700 faqe.

“PDK nuk e mbështet këtë propozim. Ne e dimë dhe kuptojmë rëndësinë e buxhetit, por dje e kemi argumentuar dhe dëshmuar vullnetin që shteti mos të bllokohet duke mbështetur propozimin për vazhdimin buxhetor për muajin mars... Minimumi kërkojmë një afat optimal që për ne është tri ditë, në mënyrë që deputetët të shohin materialin dhe të analizojnë duke marrë parasysh se është një dokument voluminoz rreth 700 faqe”, tha ai.

Kundër u shpreh edhe kryetari i LDK-së, deputeti Lumir Abdixhiku, i cili tha se trajtimi i buxhetit me procedurë të përshpejtuar është qasje joserioze e mazhorancës.

Ai tha se projekt-buxheti për vitin 2026 nuk reflekton as strukturën e tanishme të kabinetit qeveritar, derisa kërkoi edhe prezencën e kryeministrit Kurti në seancën plenare.

Kurti gjatë ditës ka njoftuar se është nisur për në Konferencën e Sigurisë që po mbahen në Mynih.

“Nuk mund të trajtojmë një fakt që brenda tri orëve të trajtojmë një buxhet jetësor të Kosovës. Nuk është serioze. E dini se s’është serioze, për aq kohë sa arritëm të lexojmë, ky ligj i buxhetit nuk e reflekton as këtë qeveri këtu. A e dini se katër ministra apo pesë nuk kanë buxhet për veti. S’po flasim për ato zotime të pardjeshme që i dëgjuam se do të bëhet kjo edhe ajo që nuk janë fare në buxhet. Por katër ministra se kanë buxhetin fare të parashikuara. Të lutemi, bëhuni më serioz. Në këto terma merrni këtë dokument dhe jepni kohë deputetëve të lexojnë dhe përshtateni me kabinetin dhe komunat e Kosovës. Prishtina e ka të aprovuar buxhetin tash e sa javë dhe ju nuk e keni atë këtu. Pa dyshim, është me rëndësi të jetë edhe zoti i shtëpisë këtu, kryeministri i Kosovës. Nuk ka ligj më të rëndësishëm”, deklaroi Abdixhiku.

Kritika ndaj kabinetit qeveritar dhe LVV-së adresoi edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

“Dje e votuam vazhdimin e ndarjes buxhetore. Në aspektin funksional të shtetit të Kosovës nuk ka asnjë ngut. Unë shikova në Ministri të Financave, ku janar u hy në borxh, në shkurt dhe në këtë muaj mundet me hy në borxh për muajin mars... Qysh bre ka mundësi një deputet, po duhet të jenë supermenë me analizuar buxhetin tabelë për tabelë. Unë ia nisa me lexu në zyrë me stafin dhe çka pash aty ka shumë për t’u debatuar”, theksoi ai.

Kritikave iu kundërpërgjigj ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili tha se synimi ka qenë që të jetë një buxhet emergjent, derisa të ketë një buxhet të rishikuar më së largu në muajin e ardhshëm.

Ai tha se parashihet në ligj, në nenin 11 për shtimin e dikastereve qeveritare.

“Po të kishte buxhet të miratuar dhe në fuqi, patjetër që do të bënin një rishikim, që ngjashëm kemi bërë edhe në vitin 2021.... Çka kemi dashur të bëjmë si qeveri e sapo miratuar ka qenë që të sigurojmë mbarëvajtjen e vendit, funksionimin e shtetit dhe institucioneve shtetërore. Zgjatja për muajin mars siguron vetëm shpenzimet rrjedhëse. Ndërkaq, çdo prokurim nuk mundet nëse e tejkalon alokimin e tre muajve...Dikasteret është e paraparë në nenin 11 që me rastin e votimit të rregullores dhe shpërndarjes së përgjegjësive të bëhet rianrazhim i tabelave”, tha ai.

Por atij i reagoi deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami i cili tha se kërkesa për miratim të buxhetit me procedurë të përshpejtuar është tendencë shmangie e debatit.

“Nuk e shpjegove arsyen e urgjencës. PO të kërkohen tri ditë për me analizu ligjin e buxhetit. Tri ditë po kërkojmë kohë. E vetmja arsye që neve na shkon në mendje është që ju po kërkoni t’i shmangeni debatit në seancë” /KosovaPress