Kusari: Mbi 2 milionë euro grante për sektorin e TIK-ut dhe energjinë e pastër, do të përfitojnë dhjetëra biznese


Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari, ka bërë të ditur lansimin e skemës së granteve për inovacion në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), në vlerë prej 1 milion e 160 mijë eurosh, si dhe të skemave të granteve për energji të pastër për ndërmarrjet prodhuese, në vlerë prej 880 mijë eurosh.
Përmes një postimi në Facebook, Kusari ka thënë se këto skema synojnë të mbështesin ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe bizneset start-up, në zhvillimin e produkteve, shërbimeve dhe proceseve inovative.
"Sot prezantuam Skemën e Grantit për Inovacion në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), e cila synon të mbështesë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe bizneset start-up në zhvillimin e produkteve, shërbimeve dhe proceseve inovative", ka shkruar Kusari.
Ajo ka bërë të ditur se, së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë prezantuar edhe skemat e granteve për energji të pastër, të cilat do të financojnë investimet në sisteme solare, efiçiencë energjetike dhe pajisje që ulin konsumin e energjisë në ndërmarrje.
"Skemat e granteve për energji të pastër në vlerë prej 880 mijë eurosh do të financojnë investimet në sisteme solare, efiçiencë energjetike dhe pajisje që ulin konsumin e energjisë në ndërmarrje", ka theksuar ajo.
Sipas Kusarit, realizimi i këtyre skemave është bërë në bashkëpunim me Qeverinë e Luksemburgut, ndërsa ka falënderuar ambasadorin e Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj sektorit privat dhe ekosistemit të inovacionit.
Ministrja në detyrë ka bërë të ditur se skema e granteve për TIK-un, me buxhet prej 1.16 milion eurosh, do të mbështesë 40 biznese dhe do të kontribuojë në zhvillimin e teknologjive të avancuara dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
"Me një buxhet prej 1 milion e 160 mijë euro, skema e granteve në TIK do të mbështesë 40 biznese, duke nxitur zhvillimin e teknologjive të avancuara, krijimin e vendeve të reja të punës dhe ngritjen e sektorit të TIK-ut në Kosovë", ka deklaruar Kusari.
Ajo ka sqaruar se nga ky buxhet, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka kontribuar me 600 mijë euro, ndërsa LuxDev me 560 mijë euro.
Sipas saj, skema është e ndarë në dy lote, ku 760 mijë euro janë dedikuar për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, ndërsa 400 mijë euro për bizneset start-up.
Kusari ka bërë të ditur se grantet do të mbështesin projekte inovative në fusha si inteligjenca artificiale, siguria kibernetike, teknologjia blockchain, analiza e të dhënave, automatizimi i proceseve dhe platformat digjitale.
"Këto grante janë pjesë e angazhimit tonë për forcimin e ekosistemit të inovacionit, përshpejtimin e transformimit digjital dhe ndërtimin e një ekonomie më konkurruese, të bazuar në teknologji", ka thënë ajo.
Ministrja në detyrë ka njoftuar se aplikimi për këto grante do të bëhet përmes platformës e-Kosova, ndërsa detajet e thirrjeve publike do të publikohen në kanalet zyrtare të MINTI-t dhe KIESA-s.
Po ashtu, ajo ka rikujtuar se gjatë muajit qershor janë lansuar edhe katër skema të tjera mbështetëse për bizneset, përfshirë skemat për gratë ndërmarrëse, makineritë prodhuese dhe përpunuese, digjitalizimin e bizneseve dhe certifikimin e produkteve.
"Në këtë mënyrë, kemi zgjeruar mbështetjen për zhvillimin e sektorit privat dhe rritjen ekonomike të Republikës së Kosovës, duke avancuar skemën e mbështetjes për bizneset e Kosovës në 7.8 milionë euro", ka përfunduar Kusari. /Telegrafi/








































