Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kritikuar bllokimin e punës së Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar si humbje kohe dhe dëm për vendin.

Duke folur për çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb, Kurti tha se kjo nuk duhet të jetë pengesë për fillimin e punës së legjislativit.


Sipas tij, Kosova përballet me sfida të mëdha dhe nuk mund të lejojë vonesa të tilla institucionale.

Ai theksoi se vendimi i Kuvendit për zgjedhjen e Emilja Rexhepit si nënkryetare nuk mund të anulohet nga Gjykata Kushtetuese dhe se aktualisht mungon vetëm nënkryetari nga komuniteti serb.

“Emilja Rexhepi është nënkryetare e Kuvendit, nuk mundet votimi për Emilja Rexhepin të anulohet. Prandaj ne kemi ngelur vetëm te nënkryetari i fundit nga komuniteti serb. Por mos harroni, nuk janë serbë vetëm ata të Listës Serbe, serb është edhe Nenad Rashiq. Në njërën anë përfaqësuesi i Listës Serbe i mori vetëm 10 vota, e Nenad Rashiq 56. Vetëm pesë vota t’ia jepnin këta 52 që janë të opozitës, sot nuk ishim duke i bërë këto pyetje dhe këto përgjigje”, tha ai. /Telegrafi/